×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarimi i pasurisë

    Veç vjet, Pacolli ndërtoi dy shtëpi, bleu tri toka, dy lokale e një banesë për rreth 2.6 milionë euro

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 19:47
    Behgjet Pacolli

    Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vazhduar investimet në pasuri të paluajtshme. Vetëm vitin e kaluar, Pacolli ka investuar mbi 2.6  milionë euro në blerjen e tri tokave, një banese, dy lokaleve dhe ndërtimin e dy shtëpive, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Shtëpia 5 milionëshe që e ka jashtë vendit, duket se nuk i ka mjaftuar deputetit Behgjet Pacolli. Vjet, ai ka vendosur t’i ndërtojë edhe dy të tjera, si dhe ta blejë një banesë.

    Njëra i ka kushtuar gati gjysmë milioni euro, që është me sipërfaqe 1143 metra katrorë, e tjetra 380 mijë euro, e që është 994 metër katrorë. Banesa i ka kushtuar më lirë, apo 211 mijë e 838 euro, e që është 214 metër katrorë.

    Në regjistrin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Pacolli ka thënë se te dyja shtëpitë i ka ndërtuar me mjete nga kursimet, e poashtu edhe banesën.

    Përveç shtëpive e banesës, Pacolli ka investuar edhe në toka e lokale. Një lokal e ka blerë 450 mijë euro, e tjetrin 409 mijë e 548 euro.

    Mbi gjysmë milioni euro tjera, Pacolli i ka shpenzuar për blerjen e një toke. Një prej tokave figuron se është blerë për 547 mijë e 560 euro. Dy tokat tjera, kushtojnë njëra 144 mijë e 120 euro, e tjetra 71 mijë e 640 euro.

     

     

    Pacolli është pronar edhe i 49 tokave të tjera, e gjashtë lokaleve. Ai ka edhe një banesë tjetër, dhe është pronar i një objekti afarist, në vlerë prej 42 milionë euro.

    Përveç pasurive të paluajtshme, ai është edhe pronar i tetë veturave, katër prej të cilave janë Mercedez-Benz.

    Ndërkohë, është edhe aksionar në 28 shoqëri tregtare, ku ka aksione në vlerë qindra miliona euro.

    Vlera e parave të gatshme që posedon nëpër banka, shkon në mbi 2 milionë, derisa po kaq figuron se ka kredi të kompanisë.

    Tek të hyrat vjetore, Pacollit i figuron vetëm paga që merr nga Kuvendi i Kosovës si deputet, në vlerë prej rreth 19 mijë euro.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!