×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Kurti mbledh të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë, fokusi te vendimi për dinarin

    Reporteri
    05 Shkurt 2024 | 11:50
    Foto nga arkivi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar sot në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë.

    Burime brenda Qeverisë bëjnë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se gjatë takimit është diskutuar me theks të veçantë për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës që e lejon si valutë të vetme vetëm euron dhe largon dinarin.

    I njëjti ka thënë se ky takim është ftuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë gjatë të cilt është diskutuar rreth zhvillimeve aktuale me theks te rregullorja e Bankës Qendrore.

    Të enjten e 1 shkurtit, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier i shkoi në zyrë Kurtit për t’ia bërë të qartë edhe njëherë kërkesën e SHBA-së për shtyerjen e zbatimit të vendimit për përdorimin e vetëm të valutës euro dhe të largohet dinari.

    Hovenieri tha se me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ekziston “rreziku për tensione”.

    “Dua ta përsëris çka kanë thënë Shtetet e Bashkuara, ne kemi shqetësime të thella dhe rezerva për zbatimin e saj para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur. Mund ta them me siguri se ne e kundërshtojnë atë tani”, tha Hovenier.

    Kjo çështje, sipas Hovenierit, do më shumë seriozitet.

    Hovenier shprehu shqetësimin e tij për ndikimin që ndalimi i dinarit mund të ketë te serbët e Kosovës.

    “Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga Qeveria serbe. Ne mendojmë se kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm dhe diskutime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar se ka mundësi ti përshkallëzojë tensionet etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme e një numri të qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

    Në një deklaratë zyrtare të lëshuar ditë më parë nga BE-ja lidhur me vendimin e BQK-së, thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

    “Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.

    BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet mes tjerash në deklaratën e BE-së.

    BE tutje në këtë deklaratë ka insistuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!