×
  • Lajme
  • Lajme / E konfirmon avokati

    Apeli vërteton dënimin me 11 vjet burgim ndaj të akuzuarës për vrasjen e kunatës në Dragash

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 17:55

    Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, me të cilin Nazire Abdyli është dënuar me 11 vjet burgim për vrasjen e kunatës Saime Domazeti, në fshatin Kuk të Dragashit në dhjetor të vitit 2022.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, mbrojtësi i të akuzuarës Abdyli, avokati Besim Morina.

    Themelorja përmes aktgjykimit të 17 majit 2024, e kishte dënuar të akuzuarën me 11 vjet burgim.

    Në seancën fillestare të mbajtur më 15 shtator 2023, e akuzuara e kishte pranuar se e kishte goditur tani të ndjerën, kunatën e saj, por e mohoi vrasjen e saj.

    Më 13 korrik 2023, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj Nazire Abdylit, se më 23 dhjetor 2022, me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes-motrën e bashkëshortit me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të akuzuarës Nazire Abdyli.

    Sipas aktakuzës, e akuzuara Abdyli, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi më 26 dhjetor 2022, vdes viktima Domazeti.

    Për këto veprime, Abdyli akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KRPK-së.

    E pandehura Abdyli, gjatë seancës së paraburgimit e pranoi se e ka rrahur për vdekje viktimën.

    “Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdekë. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdes”, kishte thënë ajo.

    E pandehura Abdyli ishte arrestuar më 27 dhjetor 2022 dhe në prani të mbrojtësit të saj kishte pranuar se ka kryer vrasjen e tani të ndjerës Domazeti.

    Ndryshe, Domazeti u gjet pa shenja jete në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!