×
  • Lajme
  • Lajme

    Biznesmeni që u bastis dje në aksionin “Brezovica 6”, i akuzuar për shpërlarje të parave në rastin “Toka 2”

    Reporteri
    22 Shtator 2022 | 17:25
    Bajram Gashani, pronar i "BAU Holding"

    Autor: Rexhep Kameraj


    Biznesmeni Bajram Gashani, pronar i “BAU Holding”, rezultoi të jetë një nga personat që u bastis dje në aksionin e njohur si “Brezovica 6”, që u krye në gjithsej 11 lokacione të ndryshme dhe rezultoi me shtatë të arrestuar. 

    Shtatë të arrestuarit, ndodhen në mbajtje për 48 orë, ka njoftuar Prokuroria e Shtetit. Por se nuk u tregua nëse Gashani është një prej tyre, apo nëse i njëjti nuk u gjet në lokacionin ku u kërkua dhe u bastis, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Grupi i të arrestuarve në fjalë, sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422, “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Në njoftim, Prokuroria nuk i ka ndarë se kush për cilën vepër penale është i dyshuar, veçse veçmas për të bastisurit dhe të arrestuarit ka treguar se çfarë u është gjetur atyre pas bastisjeve.

    Sipas njoftimit, Prokuroria gjatë kontrollit tek Gashani, ka bërë të ditur se ka gjetur dhe sekuestruar: “Një revole me nr serik 54A 040356; 9 fishekë te cal; 45 mm Dy karikator te revoles; Një kallf i revoles”.

    Biznesmeni që dyshohet se “shpërlau para” në rastin Toka 2 

    Pronari i “BAU Holding” dhe disa bizneseve tjera, nuk është hera e parë që ka telashe të mëdha me ligjin dhe që del i dyshuar për përfshirje në raste të bujshme penale.

    Bajram Gashani është edhe një nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Toka 2”, për dyshimet për dallaveret me pronat në Çagllavicë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Për këtë rast, akuzohen gjithsej 51 persona, të ndarë në dy aktakuza, dhe ndër ta i akuzuar është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

    Në aktakuzën në fjalë, “Toka 2”, biznesmeni Gashani akuzohet për “shpëlarje të parave”, bashkë me 7 të tjerë që ngarkohen me këtë vepër penale nga Prokuroria e Shtetit. Pjesa tjetër e grupit akuzohen për vepra të tjera penale si “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe vepra të tjera penale.

    Aktakuza ishte ngritur qysh në vitin 2017, por se ky proces gjyqësor ende nuk ka marrë epilog. Të fundit herë, seanca ishte paraparë të mbahej me 20 korrik të këtij viti, por se kishte dështuar të mbahej për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri, gjendej në pushim mjekësor.

    Në tetor të vitit 2017, Gashani, bashkë me 23 të akuzuarit tjerë në rastin “Toka 2”, para gjykatës ishte deklaruar se ndihet i pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij.

    Ndryshe, gjykimi i rastit “Toka” llogaritet si shembull i dështimit të sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për shkak të neglizhimit dhe mos përfundimit të procesit gjyqësor i nisur disa vite më parë.

    Komplet grupi, prej 51 të akuzuarve, të ndarë në dy aktakuza dyshohen se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30 milionë euro duke përvetësuar në mënyrë kriminale pronat shtetërore te personat fizikë.

    Dy të akuzuarve në këtë rast, u është arritur parashkrimi absolut i veprës penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkaku i vonesës në epilogun e gjyqit.

    “BAU”- Bizneset milionëshe të Gashanit 

    Biznesmeni Bajram Gashani i akuzuar në rastin “Toka 2”, e që u bastis dje për rastin “Brezovica 6”, në ARBK del se i ka të regjistruara në pronësi të paktën tre biznese, në njërin prej të cilit ka deklaruar që ka kapital gati 2 milionësh, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    BAU HOLDING L.L.C.“, rezulton të jetë biznesi më i madh i tij, ku ai është pronar i 100% të aksioneve të pikave të “BAU Market” dhe 13 njësive tjera gjithsej të kësaj kompanie që kapitalin në shtet e ka deklaruar 1,965,124.00€.

    Pos “Bau Holding”, në pronësi të Gashanit del të jetë edhe “BAU-PRO SH.P.K.“, që aktivitet primar ka “Prodhimin e tullave, tjegullave dhe produkteve ndërtimore në argjilë të pjekur”.

    Gjithashtu, “BAU REAL ESTATE SH.P.K.“, një biznes i blerje/shitjeve të patundshmërisë del të jetë i regjistruar 100% në pronësi të biznesmenit të bastisur dje për rastin “Brezovica 6” dhe i akuzuar qysh në vitin 2017 për “shpërlaje të parave” në rastin “Toka 2”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!