×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata e tij

    Borell: Dialogu Kosovë-Serbi ka nevojë për guxim, vizion dhe vullnet politik

    Reporteri
    30 Qershor 2024 | 18:53
    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në konferencën për media pas takimit të 26 qershorit

    Shefi në largim i diplomacisë evropiane, Josep Borell, vlerësoi se gjatë mandatit të tij është bërë shumë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se përparimi në dialog kërkon guxim, vizion dhe vullnet politik të liderëve të të dyja palëve.

    Ai në një tekst autorial të publikuar në faqen zyrtare te Unionit Europian EEAS,  ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në qendër të angazhimit të BE-së.

    “Është e domosdoshme të zhbllokohet një e ardhme evropiane për të dy, dhe të forcohet siguria dhe stabiliteti në rajon”, thotë Borrell.

    Ai ka thënë se fatkeqësisht, takimi i Dialogut të kësaj jave nuk solli ndonjë përparim.

    “Këtë javë prita presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në Bruksel, për mbledhjen e njëmbëdhjetë të Dialogut Beograd-Prishtinë gjatë mandatit tim. Ndërsa progresi ka qenë i ngadalshëm, disa hapa përpara janë bërë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. BE-ja mbetet e përkushtuar për të ndihmuar, por në fund, ajo ka nevojë për guximin, vizionin dhe vullnetin politik të liderëve të të dyja palëve”.

    “Diskutimet ishin të vështira si kurrë më parë dhe në fund nuk pati as një takim kokë më kokë mes Presidentit dhe Kryeministrit. Serbia ishte e gatshme të takohej, por Kosova më kërkoi që të kaloja një sërë parakushtesh. Aktualisht, qëndrimet e dy palëve mbeten shumë larg njëri-tjetrit. Megjithatë, puna do të vazhdojë: Kryenegociatorët e Palëve ranë dakord të vijnë në Bruksel javën e ardhshme për të përpunuar hapa konkretë për të zhbllokuar zbatimin e Marrëveshjes”, thotë Borrell.

    Ai thotë se lehtësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia, dhe shton se obligimet e dy vendeve nuk do të largohen.

    “Pas disa muajsh, njerëz të tjerë do të jenë në krye të kësaj teme në Bruksel, por pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve Anëtare të tij nuk do të ndryshojnë. Angazhimet dhe obligimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të largohen”.

    “Të gjithë do të shikojnë ende gatishmërinë e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të ofruar një të ardhme më të mirë evropiane për popullin e tyre. Në fund, duhet guxim, vizion dhe vullnet politik. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në çdo hap gjatë rrugës”, thotë Borrell. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!