×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjyqtarët e Kushtetueses tre herë iu shmangen votimit të vendimit për kushtetutshmërinë e Qeverisë Hoti

    Reporteri
    02 Nëntor 2020 | 14:14

    Autor: Mentor Gjergjaj 


    Tri herë në dy muajt e fundit, Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë dështuar të votojnë në lidhje me kushtetutshmërinë e votës në Kuvend të deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti. Në një nga herët, votimi dhe seanca u shtynë për shkak të infektimit me COVID-19 të kryetares së kësaj gjykate. Derisa, votimi në seancën e 2 shtatorit u shty me arsyetimin se lënda duhet ende që të kompletohet, ndërsa me 21 tetor kjo lëndë u hoq nga votimi, pa ndonjë arsyetim, por me konsensus të 9 gjyqtarëve kushtetueses.


    Gjykata Kushtetuese e Kosovës që nga mesi i muajit qershor të këtij viti e ka në shqyrtim kërkesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për “anti-kushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e Qeverisë Hoti.

    Përkundër se afatet parashohin që kërkesa të tilla të cilat marrin marrin epilog brenda 60 ditëve nga dita e pranimit, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka mësuar nga një burim i besueshëm, i afërt me procesin, se për rastin në fjalë Kushtetuesja nuk ka marrë ende vendim.

    Madje 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për tri herë radhazi kanë dështuar të votojnë për kërkesën e LVV’së, shkruan Reporteri.net. Në dy prej rasteve, lënda, me konsensus të gjyqtarëve është hequr nga votimi, ka treguar i njëjti burim. Derisa, në një nga herët seanca shqyrtuese nuk është zhvilluar fare për shkak të infektimit me Coronavirus të kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ merr vesh se hera e parë kur Kushtetuesja e hoqi nga votimi këtë rast ishte seanca e 2 shtatorit 2020, në të cilën gjyqtari raportues i lëndes, lexoi arsyetimin e tij, që siç thotë burimi, ishte në favor të kërkesës së deputetëve të partisë së Kurtit. E që rrjedhimisht, do ta shpallte Qeverinë Hoti jokushtetuese, duke e rrëzuar atë dhe duke e shpallur të pavlefshëm votimin e saj në Kuvend më 3 qershor 2020.

    Sipas këtij burimi, votimi në këtë seancën shqyrtuese të Gjykatës Kushtetuese nuk ndodhi pasi gjyqtarët vlerësuan se gjyqtari raportues duhet ta kompletojë lëndën duke i bashkangjitur asaj edhe dokumentin e interpretimit ligjor të Kuvendit të Kosovës në lidhje me mandatin e deputetit nga radhët e minoriteteve, Etem Arifit, i cili është i dënuar me aktgjykim të prerë.

    E pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese pranoi dokumentin e kërkuar nga institucioni që drejtohet nga Vjosa Osmani, mbledhja shqyrtuese e gjyqtarëve kushtetues, e paraparë të mbahej më 14 shtator 2020 u anulua. Kjo pasi Arta Rama-Hajrizi, që drejton organin më të lartë ligjor në vend, ishte infektuar me COVID-19, si ka raportuar Gazeta Online ‘Reporteri.net’ më 11 shtator të këtij viti.

    Hera tjetër kur kushtetutshmëria e Qeverisë Hoti dështoi të votohet nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese ishte në seancën e 21 tetorit 2020. Gjyqtarët e këtij institucioni, përkundër se gjyqtari raportues qysh në muajin shtator ua ka prezantuar interpretimin e tij kushtetues për votën e deputetit Arifi për formimin e Qeverisë së Kosovës, me konsensus hoqën nga votimi lëndën në fjalë, i ka thënë Gazetës Online ‘Reporteri.net’, i njëjti burim i besueshëm. Sipas tij, votimi dhe shpallja e vendimit është shtyrë, për një afat të pacaktuar ende, duke mos i dhënë formë aktgjykimi interpretimit kushtetues që e ka bërë gjyqtari raportues.

    Interpretimi i gjyqtarit raportues, nuk mund të marrë formë të aktgjykimit kushtetues, pa u votuar me shumicë nga trupa 9 anëtarësh e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, shkruan Reporteri.net, përkundër se në medie prej ditësh është keqinterpretuar si vendim i kësaj gjykate që i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje dhe e rrëzon Qeverinë e Avdullah Hotit.

    Ndaj këtyre raportimeve ka reaguar edhe vetë Gjykata Kushtetuese, e cila ka sqaruar situatën përmes Zyrës së saj për Komunikim dhe Informim.

    “Raportimet në media përkitazi me këtë rast janë të pasakta dhe nuk qëndrojnë. Gjykata nuk ka marrë ende një vendim lidhur me këtë kërkesë dhe lënda është duke u shqyrtuar. Si në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë një vendim, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në reagim.

    Interpretimi kushtetues i gjyqtarit raportues të Gjykatës Kushtetuese, mund të konsiderohet vendim i kësaj Gjykate vetëm pasi të ketë marrë miratimin me votë brenda kolegjiumit edhe të shumicës së gjyqtarëve tjerë kushtetues, qe pastaj çon në shpallje të aktgjykimit i cili bëhet publik. Në rast se ndodhë e kundërta në një shqyrtim të tillë, sipas Rregullores së Punës se Gjykatës Kushtetuese, atëherë interpretimi dhe arsyetimi kushtetues i gjyqtarit raportues vetëm përfshihet në aktgjykimin e shpallur nga një gjyqtar tjetër i kolegjiumit të gjyqtarëve që caktohet të arsyetojë interpretimin tjetër kushtetues dhe i ndryshëm nga i pari.

    Ndërkohë, sikur tashmë është bërë pothuajse e zakonshme, me afrimin e epilogut të një rasti që trajtohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, presioni dhe linçimi publik, edhe përmes raportimeve të mediave, ndaj gjyqtarëve të saj ka filluar sërish. Vetëm se këtë herë vihet në pah se janë ndryshuar taborët.

    Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje më 11 qershor 2020, 8 ditë pas votimit në Kuvend, e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për “antikushtetutshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e Qeverisë Hoti.

    “Me provat që dëshmojnë qartazi se z.Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Sipas partisë së ish-kryeministrit Kurti, që u shkarkua me votë në Kuvend në mars të këtij viti, pas 50 ditësh që mori besimin, pjesëmarrja e Arifit si dhe votimi i tij për Qeverinë pasardhëse të tyre e bën jolegjitime këtë qeveri.

    *(Sqarim: Gazeta Online ‘Reporteri.net’ me shkas dhe për profesionalizëm nuk i është referuar me emër gjyqtarit raportues të lendes, përkundër se emri i tij ka rrjedhur tashmë në publik). 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!