×
  • Lajme
  • Lajme

    “Hovenier ka informacione më shumë se unë për Veri”, Qeveria e konfirmon citatin e Kurtit për FAZ – nuk e dinë pse e hoqi gazetari gjerman

    Reporteri
    29 Nëntor 2022 | 18:43

    Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti ka deklaruar për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, se Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte informacione më shumë se ai vetë për gjendjen në veri të vendit, pjesë kjo që u hoq nga intervista e plotë.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka thënë Gazetës Online Reporteri.net se Kurti ka theksuar se Hovenier ka ndarë me të disa informacione shtesë që s’i kanë pasur më herët në dispozicion.

    “Kryeministri Kurti të shtunën ka dhënë një intervistë të gjatë për FAZ, ku ndër të tjerash tjerash ke theksuar se ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, ka ndarë me të disa informacione shtesë të cilat nuk i kemi pasur më herët në dispozicion”, ka deklaruar Kryeziu.

    I pyetur për largimin e kësaj pjese nga intervista e plotë, Kryeziu ka thënë se kjo i takon autorit dhe redaksisë së gazetës për të vendosur se cilat pjesë nga intervista do të përdoren.

    “I takon autorit dhe redaksisë së gazetës në fjalë për vendosur në fund se cilat pjesë nga intervista përdoren dhe cilat jo në versionin përfundimtar të intervistës”, ka deklaruar Kryeziu për Reporteri.net.

    Kurti për FAZ: “Kompromisin për targa e pranova për t’i hapur rrugë dialogut që duhet të përfundojë në pranverën e 2023-ës”

    Ndryshe, gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, sot doli me një “shpjegim” pse e hoqi atë pjesëz.

    Ndonëse e pranon se me ekipin e kryeministrit u dakordua që disa pjesë të intervistës “ishin potencialisht sensitive”, ai thotë se pjesa që e hoqi për ambasadorin Hovenier, “nuk ishte njëra nga to”.

    “Disa njerëz duket se e marrin për skandal (ose duan ta kthejnë në të tillë) që një ambasador amerikan në disa raste mund të dijë më shumë për situatën e sigurisë në rajone të caktuara (në këtë rast për veriun e Kosovës) se sa një Krymeinistër. Por, a është skandal kjo?”, shkroi në formë pyetje gazetari.

    Gazetari morri mundin t’ua rikujtojë gazetarëve shqiptarë se ShBA ka kapacitetet më të larta të inteligjencës në botë.

    “Shihni ambasadat gjigande në Prishtinë, Shkup, Sarajevë (ose Kampin Bondsteel). Sigiruisht, jo vetëm diplomatë punojnë atje. Është e sigurë se ambasadorët amerikanë në raste kanë informacion më shumë se të tjerët, përfshirë qeveritë”.

    Për audiencë gjermane, sipas tij, kjo s’do të ishte lajm. “Jam i habitur që për Kosovën kjo qenka ndryshe”.

    Por, ai vazhdon të tregojë, se e pranon që cicërimat e tij të së shtunes “ishin potencialisht të ndjeshme”.

    “Zoti Kurti e bëri këtë deklaratë gjatë bisedës tonë të regjistruar dhe më vonë e autorizoi atë në transkriptë të shkruar të asaj bisede, të cilën unë ua dhash ekipit të tij para publikimit pasi që disa prej temave (e jo pjesa për ambasadorin) ishin potencialisht të ndjeshme”.

    “Pasi që intervista ishte tejet e gjatë (mbajeni në mend që Kosova është çështje e madhe në Gjermani), unë i hoqa disa pjesë të versionit të autorizuar të cilat janë të një interesi më të vogël për lexuesit tonë. Në mesin e tyre ishte pjesa e ambasadorit amerikan. Kjo është e gjitha. S’ka nevojë për konspiraci”, ka përfunduar ai.

    Gazetari hoqi dy pjesët më të cituara nga mediat kosovare të marra nga cicërimat e tij të së shtunes, ndërsa në publikimin e së hënës, përmbajtja dallonte dukshëm nga çfarë proklamoi të shtunën.

    Të shtunën, Martens shkruante se kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë kishte treguar se ka bërë kompromis për çështjen e targave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier se situata në veri të Republikës së Kosovës “mund të përkeqësohej rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.

    “Ambasadori amerikan “ka më shumë informacione se unë për situatën në veri”, ishte cituar të ketë thënë Kurti.

    Kurti e konfirmon se Asociacioni është i pranueshëm për të

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!