×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti e konfirmon se Asociacioni është i pranueshëm për të

    Reporteri
    29 Nëntor 2022 | 15:30
    Në foto Kryeministri Albin Kurti, në prapavijë parulla e Vetëvendosjes kundër Asociacionit

    Autor: Linda Ibrahimaj


    Kundërshtimi i vrazhdtë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është më në diskursin e Kryeministrit Albin Kurti. Të paktën pas ujdisë së javës së kaluar në Bruksel. Shefi i ekzekutivit kosovar në intervistën për FAZ la të kuptohet se “Zajednica” – siç e quante dikur Kurti dhe Vetëvendosja e tij – është rrugës së implementimit nga ana e Qeverisë së tij, ndonëse “në lojën e tij me fjalë” kryeministri kosovar i vë “disa parakushte”.

    Kosova dhe Serbia, përmes kryenegociatorëve të tyre Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq, javën që shkoi janë pajtuar për një deklaratë “Zotimesh” të përbashkëta të lëshuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, që avancon edhe një hap drejt asaj që quhet si “marrëveshja e madhe” mes dy shteteve.

    Pashmangshëm, në atë që u quajt si “ujdia e targave” – që i dha fund krizës disa javore në Kosovë – të dy “palët u pajtuan se të gjitha marrëveshjet e kaluara në kuadër të Dialogut duhet të zbatohen”.

    Zbatimi i marrëveshjeve të kaluara të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që Qeveria e Kurtit e kundërshton. Të paktën deklarativisht, deri në arritjen e ujdisë së të enjtes së kaluar.

    “Kthimi i serbëve të Kosovës në institucione ishte një nga pritjet themelore të BE-së dhe se e njëjta vlen edhe për formimin e Asociacionit”, tha Peter Stano i BE’së një ditë pas arritjes së ujdisë së javës së shkuar në Bruksel, në elaborimin e saj për mediat.

    23 ditë krizë që Albin Kurti të pranojë më lehtë nisjen e themelimit të Asociacionit

    Në fakt, themelimi i ASK’së është kërkesë e qartë, e thënë e përsëritur dhjetëra herë për Kosovën dhe qeverinë e saj nga BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut me Serbinë dhe SHBA-ja si mbështetëse e procesit dhe pavarësisë së Kosovës, gjithashtu.

    Për këtë “ngulje këmbesh” të BE-së dhe SHBA-ve për themelimin e Asociacionit, Kryeministrin Albin Kurti e ka pyetur edhe gazetari gjerman i “Frankfurter Allgemeine Zeitung“, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Përgjigja e Kurtit është befasuese. Të paktën nga dikush që themelimin e ASK’së e ka kundërshtuar edhe me gaz lotsjellës në Kuvend, protesta në rrugë e dhjetëra ditë qëndrimi në paraburgim shkaku i veprimeve të tij të dhunshme kundërshtuese.

    “Kur flasim për normalizim të marrëdhënieve, unë jam i gatshëm të flas për komunitetin dhe të drejtat e minoritetit serb – por, ama jo si parakusht për bisedime, por si pjesë të tyre”, thotë Kurti për gazetën gjermane.

    Paraprakisht ai thekson se janë 33 marrëveshje të arritura në Bruksel, gjatë dekadës së kaluar e që sipas tij “dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia”.

    “Unë e pranoj që këto 33 marrëveshje ekzistojnë dhe jam i gatshëm t’i marrë përsipër të gjitha ato në bisedimet zyrtare për normalizim të marrëdhënieve mbi bazën e propozimin franko-gjerman në Bruksel”, thotë tash Kryeministri Kurti, i njëjti politikan që menjëherë pasi i kishte fituar zgjedhjet e 2019’ës zotohej t’i rishikonte të 33 këto marrëveshje të Brukselit “që në muajin e parë në zyrën e Kryeministrisë”.

    Kurti për FAZ: “Kompromisin për targa e pranova për t’i hapur rrugë dialogut që duhet të përfundojë në pranverën e 2023-ës”

    Tutje në intervistën për FAZ, Kurti thotë se “Serbia do të dëshironte ta shkëpuste këtë marrëveshje dhe të shpërfillë 32 tjera, si dhe propozimin franko-gjerman”.

    “Unë nuk do të marrë pjesë në këtë”, shton shefi i ekzekutivit të Kosovës.

    Këtë e pohon edhe gazetari Bekim Kabashi, që për rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi ka raportuar dhe komentuar qysh nga fillimi i procesit.

    “Ne këtë interviste kryeministri Kurti po e konfirmon deklaratën e Borrellit se ai është pajtuar me themelimin e ‘Zajednices’”, shkruan drejtori i gazetës online Reporteri.net.

    “Ne deklaratën e Borrellit në një pjesë të saj thuhet se Kosova dhe Serbia se e kuptojnë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara. Ne mesin e tyre dihet se është edhe ajo për ‘Zajednicen’. Në intervistën për FAZ, kryeministri Kurti po thotë se nëse Serbia pranon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve te kaluara që janë 33 sosh, e edhe propozimin franko-gjerman, edhe ai është përsipër t’i marrë të gjitha përsipër në kuadër të negociatave për normalizim, me baze këtë plan”, ka shkruan gazetari Kabashi në facebook.

    Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe u ratifikua në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 si marrëveshje ndërkombëtare, por se s’u zbatua kurrë shkaku i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që ia shpalli jokushtetues disa nga pikat e parapara për themelimin e saj. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!