×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca: Kadare do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 10:54

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime gjithë kombit shqiptar për shuarjen e Ismail Kadaresë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një postim në Facebook, Konjufca thotë se vepra e Kadaresë do të mbetet enciklopedia më e plotë e etnosit dhe identitetit shqiptar.

    “Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme”, shkruan mes tjerash Konjufca.

    Reagimi:

    Me pikëllim të thellë mora lajmin se sot në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.

    Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe.

    Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve.

    Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme.

    Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare!

    Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij!
    Ngushëllime mbarë kombit shqiptar!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!