×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kurti dhe Vuçiç, etnocentristë dhe totalitarë – Modeli i dy Gjermanive, i paaplikueshëm” – Rada Trajkoviç flet për Reporteri.net

    Reporteri
    08 Shtator 2022 | 11:18
    Kryetarja e lëvizjes evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç

    Autor: Xhezair Dashi


    Duhet të jeni të gatshëm për vendime të vështira”, ishte mezazhi i përbashkët i kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron ndaj liderëve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç

    Kjo si prelud i lajmërimit se dy top-këshilltarët për politikë të jashtme të dy liderëve të shteteve më të fuqishme evropiane, Jens Plettner dhe Emanuel Beaune, janë caktuar të asistojnë fascilituesin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Dy “kirurgët e diplomacisë” vinë këtë të premte në Prishtinë për të vazhduar më pas në Beograd, për, siç u tha, “eksplorimin e opsioneve” të procesit të dialogut për të lëvizur shpejt para.

    “Për ta përmbledhur, Vuçiç duhet ta kuptojë se nuk mund të sundojë e dominojë mbi shqiptarët në Kosovë, derisa Kurti duhet ta kuptojë se s’mund ta heq qafesh prezencën e serbëve në Kosovës dhe as t’i detyrojë serbët për të hequr dorë nga lidhjet e tyre me Beogradin”.

    Kështu e komenton fillimisht situatën kryetarja e lëvizjes evropiane të serbëve në Kosovë, Rada Trajkoviç, në një intervistë për gazetën online Reporteri.net.

    Në këtë mes, “të tërhequr dhunshëm nga të dyja palët”, Trajkoviç thotë se përkufizohet gjendja e serbëve të Kosovës. “Me të dyja palët duke ua mohuar subjektivitetin, me moskonsideratë të zhurmshme për mirëqenien e tyre dhe të ardhmen si qytetarë të barabartë”.

    Kurti dhe Vuçiç, politikanja serbe thotë se “duhet të heqin dorë nga botëkuptimet ideologjike të tyre”.

    “Dhe, të mos i përdorin jetërat, jetesat dhe sigurinë fizike të njerëzve si piunë në lojë në të cilën fuqizojnë pozicionet politike përkatëse të tyre në Prishtinë e Beograd”.

    Për të mos i rrezikuar, siç i quan ajo, “idetë etnocentrise e totalitare”, Trajkoviç shprehet se që të dy, Kurti dhe Vuçiç, “kanë frikë të mbështesin zërat e fuqishëm dhe të pavarur serbë në mesin e serbëve të Kosovës”.

    Që multietniciteti të vazhdon të jetë, Trajkoviç thotë se “kjo duhet ndalur”.

    “Zgjidhja nuk duhet të jetë përsëri e qendërzuar në diskutime rreth territoreve dhe cila pjesë e tokës e kujt është dhe forcat e sigurisë të kujt janë, por në krijimin e një atmosfere ku serbët e Kosovës ndjehen të fuqizuar, në jetët e tyre në vendin ku kanë lindur, në Kosovë”, thotë Rada Trajkoviç.

    Vizita e Plettner dhe Beaune

    Njëjtë siç ShBA dhe NATO, dëshmuan se janë bosht i sigurisë së rajonit, njëjtë edhe Franca e Gjermania duan të dëshmojnë se janë boshti ekonomik i rajonit, vlerëson politikanja Serbe.

    “Duke dërguar këshilltarët e tyre, Scholz dhe Macron duan t’ia rikujtojnë Kurtit dhe Vuçiçit për rëndësinë (gjermane dhe franceze) ekonomike të rajonit. Në fjalë tjera, kjo është demonstrimi i ‘pushtetit të butë’ të këtyre shteteve vetëm pak muaj pasi ShBA-në (dhe NATO-n) demonstruan sigurinë dhe fuqinë ushtarake të tyre në rajon”, thotë ajo.

    Si shqiptarët dhe serbët, shpëtimin ekonomik të tyre e gjejnë në largimin për në shtetet evropiane, dhe kjo sipas Trajkoviç, është çështja.

    “Duke e ditur ekzodin e vazhdueshëm të njerëzve nga Kosova dhe Serbia në BE, kjo është një mënyrë që dy ekonomitë kyçe të BE-së t’ua shtrojnë një pyetje të drejtëpërdrejtë Vuçiçit dhe Kurtit: kë dhe për çfarë po luftoni?”, shprehet Trajkoviç.

    Të dy liderët duhet ta kenë ndërmend mu këtë, thotë Trajkoviç, “dhe që t’u rikujtohet përgjegjësistë që kanë për elektoratet e tyre”.

    “Detyra e tyre është të sigurojnë prosperitet qytetarëve të tyre”.

    Spekulimet për propozimet e modelit të dy Gjermanive

    Kohëve të fundit u spekulua në media dhe nga analistë se propozimi për gjetjen e një zgjidhje sipas modelit të dy Gjermanive e vitit 1972, është rikthyer në tryezën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Një marrëveshje ku dy shtetet formalisht nuk e njohin njëra-tjetrën, por i hapin rrugën njëra tjetrës në sfera të gjera të ndërkombëtare, si pavarësi të plotë në nivel të brendshëm e të jashtëm, politikanes serbe s’ia mbysh syrin.

    Në çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, ajo e sheh të paaplikueshme.

    “Kjo ide ka qenë në tavolinë për shumë vite”, thotë fillimisht ajo.

    “Në letër mbase edhe duket mirë, por ka shunmë elemente që nuk e bëjnë lehtë të aplikueshme për Kosovën”.

    “Le të mos harrojmë”, rikujton Rada Trajkoviç, “se ajo marrëveshje ishte vetëm e përkohshme dhe se dy Gjermaninë nuk kanë pasur ndarje gjuhësore dhe etnike, por ideologjike”.

    Tërheqja gravitacionale etnikisht e bazuar, përndryshe, vlerëson ajo, pashmangshëm shqiptarët e Kosovës do t’i çonte drejtë Shqipërisë. Kjo, sipas saj, “pavarësisht zgjidhjes”.

    “Kjo pa dyshim do të zgjonte nacionalizmi ‘më të mëdhenj’ anembanë Ballkanit – prej Italisë veriore, Kroacisë, Hungarisë, Greqisë e Bullgarisë”.

    “E vetmja mënyrë që Kosova të mbetet rast sui generis është që komuniteti ndërkombëtar të sigurojë qeverisjen multietnike të saj dhe partneritetet rajonale të saj të jenë evropiane dhe përparimtare për nga mendimet”, vlerëson politikanja serbe.

    A mund të ketë marrëveshje sivjet?

    Objektivisht, ka shumë çështje teknike të pazgjidhura që kjo të mund të bëhet, shprehet Trajkoviç.

    Zgjidhjet e paraqitura deri më tani, sipas saj, kanë qenë të nxituara dhe “rezultuan kundërproduktive e të dëmshme”.

    Andaj, sipas saj, Kosova dhe Serbia janë ku janë.

    “Në këtë kontekst, e gjej shqetësuese që Scholz dhe Macron në letër në mënyrë eksplicite përmendim agresionin rus në Ukrainë në kontekstin e negociatave”.

    Sipas saj, deri më sot “vetëm Putin bënte këtë lidhje midis këtyre dy krizave shumë të ndryshme”.

    “Kjo më bën të mendoj se bashkësia ndërkombëtare është përsëri shkurtpamëse duke provuar të shtyejë për zgjidhje të shpejt marrëveshjeje rreth Kosovës, që në të ardhmen ta përdor si model (blueprint) për një marrëveshje mes Rusisë-Ukrainës”.

    Bashkësia ndërkombëtare, rikujton ajo, ka barrat e saj – “rënia ekonomike pas krizës në Ukrainë dhe presionet e tyre të brendshme”.

    “Prandaj edhe druaj se standardet e tanishme të tyre për një zgidhje të pranueshme për Kosovën mund të jenë tejet të ulëta. Thënë ndryshe, mund të pranojnë çfarëdo zgjidhje – sado të keqe e destabilizuese – për sa kohë të dyja palët mund të pajtohen”.

    “Mbase disa janë të etur të arrijnë çfarëdo zgjidhje të pranueshme për dyja palët dhe ta ripërdorin ‘zgjidhjen e arritur’ si parim për rrugëdalje në krizën e Ukrainës. Por, duke e bërë këtë, bashkësia ndërkombëtare do të luante drejt e në duart e Putinit”, përfundon politikanja serbe, Rada Trajkoviç.

    Kosova dhe Serbia janë gjetur në vendnumëro sa i përket normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella.

    Që të dyja mbeten pengje të një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kosova në perfeksionimin ndërkombëtar të shtetësisë së saj, Serbia në rrugën e saj drejt BE-së, ku konkludimi i marrëdhënieve me Kosovën është njëra nga kushtet kyçe për anëtarësim.

    Kosova kërkon marrëveshje me “njohje reciproke në qendër”, derisa Serbia thirret në atë se në kapitullin e negociatave me BE-në, përkatësisht në pjesën ku i kërkohet normalizim i plotë i marrëdhënieve me Prishtinë, “nuk kërkohet njohja”.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz, muaj më parë në vizitën e tij të parë në rajon, ia rikujtoi presidentit serb se njohja e ndërsjellë është epilogu i logjikshëm i normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Kosovën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!