×
  • Lajme
  • Lajme / Palët akuzojnë njëra-tjetrën

    Pesë takime të dështuara për dinarin në Bruksel, paralajmërohet i gjashti

    Reporteri
    26 Prill 2024 | 7:53

    Në Bruksel gjatë ditës së djeshme ka përfunduar pa marrëveshje edhe një rund i bisedimeve mes Kosovës e Serbisë në nivel kryenegociatorësh. Ashtu si edhe gjatë takimeve të mëparshme ku nuk ka pasur marrëveshje, temë kryesore e takimit ishte çështja e dinarit.

    Takimi i pestë ndërmjet palëve e që zgjati më shumë se shtatë orë përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, teksa u paralajmërua edhe një takim tjetër në javën e dytë të majit, i gjashti me radhë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Siç kanë paralajmëruar të dy kryenegociatorët, Kosova dhe Serbia do të paraqesin komentet e tyre për propozimin e ri në ditët në vijim, ndërsa takimi i radhës për të njëjtën çështje do të mbahet në mes të majit.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha se ndërmjetësi i BE-së në dialog, Miroslav Lajçak ka dalë me një propozim të ri për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e pagesave.

    “Ne kemi marrë përkushtimin tonë që në një periudhë prej një javësh të dërgojmë sugjerimet apo brengat tona për propozimin e fundit”, tha  Bislimi duke nënvizuar se gjatë takimit zyrtarët serbë kanë dhënë deklarata sipas tij shqetësuese lidhur me atë se si e shohin funksionimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi.

    Dështon pa marrëveshje takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon financimin e strukturave ilegale deri në krijimin e Asociacionit

    E kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq tha se pala prishtinase nuk dëshiron të negociojë, por dëshiron t’i shohë gjërat vetëm nga këndvështrimi i saj.

    Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet.

    “Prita një takim nga Dialogu për të gjetur një zgjidhje për “çështjen e dinarit”. Ky takim u dha hapësirë të mjaftueshme palëve për të shpjeguar qëndrimet e tyre”, ka shkruar ai.

    Lajçaku tha se në fund të takimit ka propozuar një dokument që synon të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket “çështjes së dinarit”.

    “Takimi përfundoi duke paraqitur një dokument kompromisi në një përpjekje për të kapërcyer dallimet. Do të presë takimin e radhës pasi të pranojë së komentet konstruktive”.

    Takimi i dështuar për dinarin në Bruksel, Lajçak propozon një ‘dokument kompromisi’

    Për dallim nga takimet e mëparshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, të enjten nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në takim trepalësh.

    Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

    Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!