×
  • Lajme
  • Lajme / Çështja e dinarit

    Sot takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh në Bruksel

    Reporteri
    25 Prill 2024 | 7:19

    Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e dinarit, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sërish sot në Bruksel.

    Kjo është konfirmuar të mërkurën për Gazetën Online Reporteri.net nga Bashkimi Evropian.

    “Ne mund të konfirmojmë se takimi do të jetë të enjten”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për Reporteri.net.

    Për takimin e së enjtes, për Gazetën Online Reporteri.net ka folur edhe Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi. Ai tha rregullorja e BQK-së në Bruksel nuk trajtohet, por se takimi do të jetë për formën se si Serbia do t’i dërgojë mbështetjen financiare qytetarëve serb, konform ligjeve.

    “Takimet e radhës do të zhvillohen nesër. Nuk është takim për rregulloren e BQK-së, e kemi përsëritur disa herë, që në Bruksel nuk trajtohet rregullorja apo përmbajtja e saj. Takimet janë për formën apo modalitetin se si Serbia do të dërgojë mbështetjen financiare drejt komunitetit serb, në mënyrë transparente e konform ligjeve”, tha Kadiu për Reporteri.net.

    Gjatë kësaj jave, emisari evropian, Miroslav Lajçak në përmbledhjen e tij rutinë javore, foli edhe për takimin e javës së kaluar të nivelit teknik mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin tha se ndihmoi për të ngushtuar hendekun mes palëve mbi “çështjen e dinarit”.

    Për takimin e ardhshëm, Lajçak tha se pret propozime konkrete të palëve e që e çojnë përpara çështjen.

    Lajçaku paralajmëron një takim tjetër për “çështjen e dinarit”: U ngushtua hendeku mes palëve, pres propozime

    Të enjten e kaluar, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje edhe rundi i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

    Pas takimit, Bislimi tha se pala serbe kishte shkuar në kryqendrën europiane pa ide për trajtimin e një propozimi fillestar që e kishte sjellë në tavolinë ndërmjetësi Lajçak.

    “Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha ai.

    Petkoviq, ndërkaq tha se bëri gjithçka për ta gjetur një zgjidhje dhe se kishte “një propozim konstruktiv” që sipas tij, Lajçak e vlerësoi si “shumë të mirë për vazhdimin e bisedimeve”. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!