×
  • Lajme
  • Lajme / Përgjegjësitë në dialog

    Asociacioni, Lajçak: Kosova ta pranojë draftstatutin evropian

    Reporteri
    04 Maj 2024 | 17:30

    Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak ka thënë se nga të dy palët duhet të fillojë menjëherë zbatimi i Marrëveshjes Bazë, që siç tha Lajçak nuk po e bën as Kosova, as Serbia.

    Lajçak tha se Kosova duhet të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të pranojë draft statutin evropian për Asociacionin.

    “Si ndërmjetës, shmang të futem  në diskutime dhe akuza reciproke se kush ka bërë dhe kush jo, kush e ka fajin për mungesën e progresit… Realiteti është se edhe Kosova edhe Serbia kanë një listë të obligimeve të paplotësuara  të dala nga marrëveshjet e kaluara, e për më tepër, asnjëra nga palët nuk ka filluar ende zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Zbatimi duhet të fillojë menjëherë në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të fillojnë të përmbushin obligimet e tyre paralelisht dhe hap pas hapi duke u bazuar në parimin se të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Tani fokusi duhet të jetë në progresin në zbatimin e plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa. Përgjegjësitë e palëve janë të qarta: i takon Kosovës që të fillojë procedurën për themelimin e Asociacionit dhe të pranojë draft-statutin evropian dhe i takon Serbisë ta përmbushë obligimet e saj të shumta paralelisht, duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve – që është paraparë me planin e sekuencës së zbatimit. Të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit në zbatim – dhe jo në veprimet apo deklaratat publike të palës tjetër. Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjen”, ka thënë Lajçak për Nova.rs.

    Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, u është prezantuar Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor të vitit të kaluar nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

    Së fundmi nga Kosova po kërkohet së të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit para votimit për anëtarësim në KiE, më 16 maj.

    Qeverisë së Kosovës i është bërë të qartë rëndësia e hapave konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. /Reporteri.net/

    Kosova përballë “kushtit” të vështirë në finalen drejt KiE-së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!