×
  • Lajme
  • Lajme

    Vdekja e Kadaresë, Begaj: Shqiptarët humbën gjeniun e tyre të letrave

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 10:17

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Begaj ka thënë se Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave.

    Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.

    Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës”, shkroi ai.

    Ndryshe, shkrimtari Kadare u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare.

    Siç raporton REL me burime pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë njoftuan se Kadare “pësoi arrest kardio-respirator”.

    Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

    Kandidati për Nobel në Letërsi, njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ai shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

    Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

    Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

    Qëndrimet kritike janë të ndara nëse Kadareja duhet parë si disident apo si konformist gjatë regjimit komunist. Ai qe ndër zërat e pakët kritikë, por mendohet se kjo qe e mundur në sajë të mbrojtjes nga vetë diktatori Enver Hoxha.

    Vdes shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!