×
  • Lajme
  • Lajme

    Vdekja e Kadaresë, Jahjaga: I përjetshëm kujtimi për ju mjeshtër i madh

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 10:36

    Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare vdiq sot në orët e hershme të mëngjesit në moshën 88-vjeçare.

    Pas lajmit për vdekjen e tij, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka postuar një fotografi me të ndjerin në llogarinë e saj në Facebook.

    “Një shpirt i madh na paska lënë sot! Një kandil i çmuar i letërsisë mbarë shqiptare nga sot po vazhdon të ndriqojë dhe në botën e amshueshme. Përjetësisht mirënjohës për të gjitha vlerat që i dhatë letërsisë sonë. I përjetshëm kujtimi për ju mjeshtër i madh! Ismail Kadare, 1936-2024!”, ka shkruar Jahjaga.

    Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

    Kandidati për Nobel në Letërsi, njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ai shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

    Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

    Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

    Qëndrimet kritike janë të ndara nëse Kadareja duhet parë si disident apo si konformist gjatë regjimit komunist. Ai qe ndër zërat e pakët kritikë, por mendohet se kjo qe e mundur në sajë të mbrojtjes nga vetë diktatori Enver Hoxha.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!