U.d. Presidentes Vjosa Osmani ka takuar sot ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Cagri Sakar. Sipas njoftimit të Presidencës, ata diskutuan për raportet bilaterale mes dy shteteve, shkruan Reporteri.net
Në njoftim thuhet se është potencuar raportet e mira mes dy vendeve.
“Presidentja në detyrë është shprehur falënderuese për ndihmën që shteti turk i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në fusha të ndryshme, e sidomos tash së fundmi përgjatë pandemisë. Ajo ka theksuar faktin se Turqia ka ofruar ndihmë në trajtimin e pacientëve në faza të ndryshme që ka qenë ndihmë e madhe për Kosovën”, thuhet në njoftimin e Presidencës, përcjellë Reporteri.net.
Gjatë ditë ambasadori turk është takuar edhe me Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ky i fundi i premtoi se do ta shqyrton çështjen e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Por për këtë punë me ambasadorin e Turqisë duket se nuk ka folur Osmani.
Në komunikatën e Presidencës nuk raportohet të jetë diskutuar vendndodhja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Kujtojmë që Turqia ka reaguar ashpër në lidhje me vendimin e Kosovës për të hapur ambasadën e saj në qytetin e Jerusalemit, të cilit autoritetet turke i referohen si kryeqyteti i ardhshëm i mundshëm i shtetit të Palestinës.
Njoftimi i plotë i Presidencës së Kosovës:
U.d. Presidentja takon Ambasadorin e Turqisë
U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Cagri Sakar. U.d. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Sakar diskutuan për raportet bilaterale mes dy shteteve, duke potencuar bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe raportet e mira mes shteteve.
Presidentja në detyrë është shprehur falënderuese për ndihmën që shteti turk i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në fusha të ndryshme, e sidomos tash së fundmi përgjatë pandemisë. Ajo ka theksuar faktin se Turqia ka ofruar ndihmë në trajtimin e pacientëve në faza të ndryshme që ka qenë ndihmë e madhe për Kosovën.
Ambasadori Sakar ka uruar u.d. Presidenten për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke konstatuar se vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i qartë dhe se i njëjti duhet të jetësohet përmes krijimit të institucioneve të reja.