Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është shprehur i sigurt se partia e tij, do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme.
Limaj në një intervistë për RTV21, ka thënë se Nisma do të jetë befasi e këndshme e këtyre zgjedhjeve.
Ai u pyet disa herë nga gazetari se a është i gatshëm që të jetë kryeministër, por Limaj iu shmang përgjigjes. Tha se kryeministri i takon partisë që del e para në zgjedhje, shkruan Reporter.net.
Gazetari: E pretendoni postin e kryeministrit?
Fatmir Limaj: Nëse e kemi besimin qytetarëve të Kosovës, natyrisht ne jemi në skenën politike, por krejt varet nga besimi që na japin qytetarët e Kosovës. Ne po punojmë fuqishëm. Unë besoj që Nisma do të jetë befasi e këndshme e këtyre zgjedhjeve. Siç thash kemi një strukturë jashtëzakonisht të konsoliduar, stabile, kemi me çka t’iu dalim përpara qytetarëve, kemi çka t’iu themi qytetarëve.
Gazetari: A e shihni veten në qeverinë e ardhshme si kryeministër?
Fatmir Limaj: Nisma e sheh veten në qeverinë e ardhshme, që është më e rëndësishme.
Gazetari: Ju si kryeministër?
Fatmir Limaj: Po nëse e kam besimin e qytetarëve, pse jo. Ne jemi në politikë për t’i arritur këto objektiva, për të marrë detyra. Kurdo herë që e kam besimin e qytetarëve, unë asnjëherë nuk i shmangem kësaj çështjeje. Ajo që është e rëndësishme, Nisma do të jetë në qeverinë e ardhshme të Kosovës.