×
  • Lajme
  • Lajme / Dialogu

    Lajçak: Kosova duhet të fillojë formimin e Asociacionit dhe Serbia t’i njohë simbolet e Kosovës

    Reporteri
    04 Maj 2024 | 11:40

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se Kosova duhet të fillojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe pranimin e draft-statutit evropian.

    Ai thotë se Serbisë, i takon që t’i përmbushë obligimet e saj paralelisht, duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve, që është paraparë në planin e sekuencës së hapave të zbatimit.

    “Realiteti është se edhe Kosova edhe Serbia kanë një listë të obligimeve të paplotësuara. të dala nga marrëveshjet e kaluara, e për më tepër, asnjëra nga palët nuk ka filluar ende zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Zbatimi duhet të fillojë menjëherë në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të fillojnë të përmbushin obligimet e tyre paralelisht dhe hap pas hapi duke u bazuar në parimin se të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në përparimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa. Përgjegjësitë e palëve janë të qarta: i takon Kosovës që të inicojë procedurën për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe të pranojë draft-statutin evropian dhe i takon Serbisë që ta përmbushë obligimet e saj të shumta paralelisht, duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumenteve dhe institucioneve – që parashihet me planin e sekuencës së hapave të zbatimit. Të dyja palët dhe konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit në zbatim – jo në veprimet apo deklaratat publike të palës tjetër. Topi është në fushën e Serbisë dhe Kosovës dhe ne presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjet”, ka deklaruar ai për në një intervistë për mediumin serb, Nova.rs, transmeton Reporteri.net.

    “Të dyja palët e kanë integrimin evropian si prioritet strategjik dhe progresi në normalizimin e marrëdhënieve të tyre është thelbësor për përparimin drejt BE-së. BE-ja ka qenë shumë e qartë se dera është e hapur dhe nëse janë seriozisht të interesuar për të ardhmen e tyre evropiane, si Serbia ashtu edhe Kosova e dinë se duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin. Zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit hap rrugën për këtë dhe Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje shtesë dhe ta çojnë procesin deri në fund. Ne mund të këshillojmë, sugjerojmë dhe ndihmojmë në çdo hap të rrugës, dhe ne e bëjmë. Megjithatë, në fund, janë dy palët ato që duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre”. ka deklaruar ai.

    Lajçak, ka deklaruar se në vitin 2020 Kosova dhe Serbia kanë bërë përparim dhe janë dakorduar për disa nga elementet e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme që do ta përfundonte njëherë e përgjithmonë dialogun në mes të dy vendeve.

    Ai thotë se me ndryshimin e Qeverisë në Kosovë ka ndryshuar edhe “qasja e Kosovës ndaj bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!