×
  • Lajme
  • Lajme

    A manipuloi me shifra kryeministri Kurti? KEK në vitin 2021 kishte eksportuar rrymë më shumë sesa në vitin 2022

    Reporteri
    26 Prill 2023 | 17:22

    Autor: Rexhep Kameraj


    Shifrat në euro të shitjes së energjisë elektrike gjatë vitit 2022 për të cilat po krenohet Kryeministri Albin Kurti dhe njerëzit e Qeverisë, e partisë së tij, dalin të jenë më të larta për shkak të rritjes së çmimit të shitjes së rrymës e jo nga “performanca e suksesshme” e menaxhmentit të ri të KEK’ut, siç po “e shet” në publik shefi i ekzekutivit. 

    KEK’u, në vitin 2022, eksportoi dukshëm më pak rrymë sesa në vitin 2021, kur çmimi mesatar i shitjes së megavatit ishte rreth 125 Euro më i ulët sesa në 2022’ën, kur mesatarja e megavatit të shitur shkoi deri në 202 Euro, shkruan gazeta online Reporteri.net. Situatë edhe më e mirë në prodhim rezulton të ketë qenë në vitin 2020, kur u prodhuan mbi 1.18 milionë megavat rrymë, por të cilat u shitën me çmim mesatar të tregut ndërkombëtar të energjisë elektrike, veç 30 Euro.

    Meritat që Kryeministri Kurti po ia lë kryeshefit të KEK’ut të arrestuar për korrupsion, Nagip Krasniqi, nuk pranoi as vetë ai t’i merrte për vete. Disa javë para arrestimit, Krasniqi pohonte se llogaritjet në para të shitjes së rrymës rezultojnë më të larta për shkak të rritjes së çmimit të energjisë në treg.

    Raporti financiar i KEK’ut për vitin 2021 dhe të dhënat e Nagip Krasniqit për vitin 2022 

    747 mijë MWh (747 GW) rrymë prodhoi dhe shiti KEK’u në vitin 2021, që rezulton të jetë dukshëm më shumë sesa në vitin pasues, kur u prodhuan 581 mijë MWh (581 GW) energji elektrike e që u shitën me çmim rreth 125 Euro më shumë në mesataren për Megavat, sesa në vitin 2021 kur mesatarja e çmimit të megavatit të shitur ishte 77,67 Euro. Në vitin 2022, mesatarja e megavatit të shitur kapi vlerën rreth 202 Euro, shkaku i shtrenjtimit të rrymës së shitur gjatë krizës energjetike.

    Prodhimi në MWh për shitje të rrymës nga KEK ende më i lartë ishte në vitin 2020. KEK, në atë vit, rriti prodhimin për eksport në 1.18 milionë MWh (1.18 GW). Në vitin 2020, mesatarja e çmimit për shitjen e megavatit ishte veç 30,7 Euro.

    Të dhënat për vitin 2020 dhe 2021 janë të bazuara nga raporti i KEK’ut për prodhim në vitin 2021. Ndërsa, të dhënat për vitin 2022 janë të bazuara nga deklarimet publike të ish-kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqi, i arrestuar javën që shkoi për korrupsion dhe nga ato të Kryeministrit Albin Kurti e vartësve të tij.

    “Në vlerën e të hyrave ndikim të madh kishte rritja e çmimit të energjisë së eksportuar. Si mesatare gjatë vitit 2021 ishte në nivel të lartë me 77.57Euro/MWh (2020: 30,7Euro/MWh). Kjo ndikoj të realizohen të hyra më të larta nga eksporti pavarësisht se sasia e energjisë elektrike të eksportuar në 2021 ishte 747 mijë MWh, ose për 36.8% më e vogël se në vitin paraprak (2020: 1.18 GWh eksport)”, thotë raporti i KEK’ut për vitin 2021, i siguruar nga gazeta online Reporteri.net.

    Manipulimi i Kurtit dhe Mujës duke “e shitur” shtrenjtimin e rrymës si performancë të suksesshme të Nagip Krasniqit

    “Fitimi i KEK’ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë Euro”, tha ndër të tjera shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, javën që shkoi para deputetëve derisa nga foltorja e Kuvendit e mori në mbrojtje publike të dyshuarin për korrupsion në KEK, Nagip Krasniqin, kryeshef i pezulluar i KEK’ut.

     

    Pak më të madhe shifrën e të hyrave nga shitja e energjisë nga KEK, e kishte prezantuar vetë Nagip Krasniqi, në një intervistë në Klan Kosova. Ai kishte thënë se të hyrat nga shitja e rrymës nga KEK’u në vitin 2022 ishin rritur në 117 milionë Euro duke e konsideruar si “performanca më e mirë financiare e realizuar nga KEK’u”.

    Por, për dallim nga ish-bashkëpartiaku i tij, Albin Kurti, Krasniqi meritat për këto shifra në Euro nuk ia kishte lënë vetës e as bordit të ri të KEK’ut, të emëruar nga Qeveria Kurti.

    “Sigurisht që këtë nuk mund t’ia faturojmë vetëm përformacës sonë operative, por përveç asaj anës negative që çmimet e larta të energjisë kanë ndikuar në tarifat vendore, aspekti pozitiv për ne ka qenë sespe edhe eksportet kanë qenë me çmimet më të larta”, kishte deklaruar Krasniqi, rreth një muaj para arrestimit dhe para burgosjes për korrupsion.

    “Gjatë vitit 2022 çmimi mesatar i eksportit ka qenë rreth 202 Euro”, tregonte Krasniqi derisa zbulonte se KEK-u ka bërë një eksport prej 581 GW energji elektrike në vitin 2022.
    E këto shifra, sot në Kuvend, i përdori për manipulim edhe deputeti i LVV’së, Armend Muja.

    Madje ai, para deputetëve, nxori edhe një grafikë ku sipas tij pasqyrohej performanca financiare e KEK’ut në vitin 2022 në krahasim me vitet paraprake.

    “Nga 153 milionë Euro, qiky Nagipi e ka qu në 268 milionë Euro qarkullimin në KEK”, tha Muja. Por, natyrisht duke e neglizhuar faktin se në vitin 2022 rryma e eksportuar u shit 202 Euro për megavat, ndonëse u prodhua shumë më pak sesa në vitin 2021 kur megavati për rrymën e shitur kapte çmimin mesatar të shitjes veç 77,67 Euro.

    Sa do t’i fitonte KEK në vitin 2020 dhe 2021 nëse çmimi i rrymës do të ishte 202 Euro për MWh

    Nëse shitja e rrymës në vitin 2021 do të kapte vlerën mesatare 202 Euro për megavat, 747 mijë MWh e prodhuar për eksport atë vit do të kapte vlerën e shitjes mbi 150 milionë Euro. Por, të dhënat nga çmimi i ulët i saj kohe i shitjes së energjisë, tregojnë se rezultoi me më pak të hyra në KEK, përkundër se prodhimi në megavat ishte dukshëm më i lartë sesa në vitin 2022, kur në krye të KEK’ut ishte Nagip Krasniqi.

    E sikur i njëjti çmim i shitjes së rrymës në vitin 2022 të tregtohej në vitin 2020, atëherë KEK’u do të përfitonte 238 milionë Euro nga shitja në eksport, shkruan gazeta online Reporteri.net. Kjo pasi, në vitin 2020, prodhimi për eksport rezultoi më i larti krahasuar me vitet pasuese 2021 dhe 2022, duke shkuar në 1.18 milionë MWh energji e prodhuar për shitje. Megjithatë, në vitin 2020, çmimi për shitjen e rrymës ishte veç 30 Euro e 7 centë, mesatarja për megavat. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!