×
  • Lajme
  • Lajme / Diplomatët te kryeministri

    Anëtarësimi në KiE, përveç QUINT-it, Kurti dje u takua edhe me katër ambasadorë të tjerë

    Reporteri
    07 Maj 2024 | 8:56

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit që zhvilloi  ditën e djeshme me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e BE-së në Kosovë, në zyrë i ka pasur edhe ambasadorët e Holandës, Suedisë, Belgjikës dhe Finlandës.

    Sipas komunikatës së Qeverisë, temë qendrore e takimit ishte anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, roli dhe përkrahja e çmuar e këtyre vendeve ndaj Kosovës përgjatë gjithë procesit, si dhe mbështetja e tyre në takimin e komitetit të ministrave, në vijë me votimin e Asamblesë Parlamentare muajin e kaluar.

    “Kryeministri u shprehi mirënjohjen dhe falënderimin ambasadorëve për përkrahjen e pakushtëzuar të shteteve të tyre përgjatë gjithë procesit.

    Kosova është demokracia e vetme evropiane që është jashtë Këshillit të Evropës. Anëtarësimi i bazuar në merita dhe vlera të përbashkëta sjellë përfitime për të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos komunitetet joshumicë, si dhe i kontribuon demokracisë, paqes dhe stabilitetit në rajon”, thekson njoftimi.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri thirrje të hënën që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pasi, sipas tij, këto procese nuk e ndihmojnë njëri tjetrin.

    Ai i bëri këto komente përmes një komunikate për shtyp pas një takimi me diplomatët e Quint-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

    “Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti në një komunikatë të publikuar nga qeveria.

    Ende nuk dihet nëse çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës do të jetë në agjendë kur ministrat e vendeve anëtarë të mblidhen në Strasburg më 16 maj.

    Kosovës i janë kërkuar hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për hapa në këtë këtë drejtim kanë qenë të njëpasnjëshme gjatë ditëve të fundit. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. /Reporteri.net/

    “Progres në Asociacion” para KiE-së, Kosova kërkon të mos përzihen anëtarësimi në Këshillin e Evropës me normalizimin me Serbinë

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!