×
  • Lajme
  • Lajme / Flet kryeministri

    Kurti për Asociacionin: Plani i Ahtisaarit parasheh një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që kërkon Beogradi

    Reporteri
    27 Prill 2024 | 9:57

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me ç’rast ka thënë se gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të Republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë.

    Kurti ka folur për kërkesën e vendeve të BE-së që Kosova të themelojë Asociacionin dhe për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që ka pasur kritika për qeverisjen në Kosovë.

    “Ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë. Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”, ka deklaruar Kurti për DW.

    Kurti tutje ka thënë se Serbia ka refuzuar draftin që ka propozuar ai në Ohër.

    “Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë. Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë. Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e punëve të jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mosnjohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet”, ka deklaruar Kurti.

    Kurse i pyetur për fazën finale të anëtarësimit në Këshill të Evropës, Kurti është shprehur optimist që Kosova do të kalojë me sukses.

    “Sipas renditjes organizatave prestigjioze ndërkombëtare ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!