Tashmë janë bërë më shumë se dy orë që nga nisja e takimit mes VV-së e LDK-së për arritjen e marrëveshjes për koalicionin e ardhshëm qeverisës.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kësaj here ka ndërruar “formacionin” e bisedimeve. Ai në takimin që ka filluar në orën 16:00. ka arritur i shoqëruar nga dy nënkryetarët e partisë së tij, Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin, si dhe anëtarin e kryesisë, Avdullah Hotin.
Në takimin e sotëm Mustafa nuk e ka marrë me vete kandidaten e LDK-së për Kryeministre, Vjosa Osmanin, sikurse kishte vepruar në një pjesë të takimeve të kaluara me Kurtin, shkruan Reporteri.net.
Kujtojmë se takimi i sotëm mes të dy partive vjen si vazhdë e përpjekjeve për arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje.
Ky takim po mbahet pas disa polemikave mes nënkryetarit të LDK-së, Agim Veliu dhe kandidates për kryeministre, Vjosa Osmani.
Dy partitë kanë pasur edhe dje një takim, ndërkohë që kreu i VV-së, Albin Kurti kishte thënë se takimet do të vazhdojnë për çdo ditë deri në arritjen e një marrëveshje. /Reporteri.net