Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka dërguar të hënën ftesat për takim të gjithë liderëve të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Këto takime vijnë pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga 82 deputetë, mocion i inicuar nga partneri në koalicion, LDK. Në ftesat e dërguara thuhet se do të diskutohet për hapat e mëtejmë.
Ftesa për takimin e parë i ka shkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, ku siç shkruhet në të ora e pritjes në Kabinetin e Presidentit është ora 10:00 e ditës së mërkurë, shkruan Reporteri.net.
Gjysmë ore më pas Kurit, termini i orës 10:30 është i rezervuar për kreun e LDK-së, Isa Mustafa.
E menjëherë pas Mustafës i vjen radha kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili do të pritet nga Presindenti në orën 11:00.
Ndërsa gjatë të enjtes, Presidenti Thaçi do t’i pres për konsultim liderët e partive tjera.
Megjithatë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherit edhe kryeministër në largim pritet të mos i shkojë presidentit Thaçi në takim, pasi nuk po pajtohet që vendi të ketë qeveri të re nga ky legjislativ, por qeveria e tij ta drejtojë vendin deri në krijimin e momentit të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. /Reporteri.net