20 vjet pas krimeve dhe shumë masakrave të kryera në Kosovë, bartja e kompetencave nga ndërkombëtarët te vendorët, i ka mundësuar Prokurorisë Speciale të nisë hetime për shumë masakra, të cilat nuk kishin qenë subjekt i hetimeve nga UNMIK-u dhe EULEX-i.
Ka rreth 4 muaj që prokurorja Speciale, Drita Hajdari, ka nisur hetimet për njërën nga masakrat më të mëdha në Kosovë, atë të Reçakut.
Hajdari thotë se është në fazën e mbledhjes së provave dhe dëshmive në terren.
Ndërsa, thekson faktin se kalimi i tërë këtyre viteve do ta vështirësojë punën në këtë aspekt.
Ramë Shabani, njëri nga 4 të mbijetuarit në Reçak, e cilëson si tejet të vonuar këtë hetim, derisa thekson faktin se ai nuk do të mund të arrijë të identifikojë asnjë nga serbët, të cilët 20 vjet më parë e kryen këtë masakër, raporton ktv.
Shumë familjarë të tjerë, ndonëse i shohin si të vonuara këto hetime, presin drejtësi për këtë masakër.
Por, Prokuroria Speciale në trajtimin e lëndëve për krime të luftës, ka edhe një pengesë.
Pengesa që të intervistohen të dyshuarit e këtyre krimeve, Hajdari thotë se u ka pamundësuar ngritjen e aktakuzave.
Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 civilë shqiptarë.
Viktimat e masakrës së Reçakut, të shtrira në një mal të këtij fshati, u bënë një prej imazheve dokumentuese të tmerrit, nëpër të cilin po kaluan kosovarët.