Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj D.LL për vrasje për gjakmarrje, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Sipas aktakuzës, i dyshuari D.LL me 12 korrik të vitit 2003, rreth orës nëntë të mëngjesit, në fshatin Raçë të Gjakovës nga gjakmarrja kishte vrarë N.N, 47-vjeçar.
Në aktakuzë thuhet se gjakmarrja ishte kryer për shkak të vrasjes së babait të tij në vitin 1991 nga N.N.
“Në ditën kritike i pandehuri, shkon në vendin e lartcekur me veturën e tij Golf 3, ngjyrë e kuqe, duke i përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit dhe kur i njëjti ka hyrë në dyqan “V…”, për të blerë ca gjëra ushqimore, i pandehuri D.LL., e pret e me të vërejtur se del nga dyqani prej një afërsie shtënë në drejtim të tij 28 herë në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në aktakuzë.
“Dhe kur viktima bie përtokë, i pandehuri përsëri kishte shtënë në drejtim të kokës së viktimës, duke i shkaktuar plagë të shumta me armë në kokë, gjoks dhe gjymtyrë, nga plagët e marra viktima ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes”, thuhet më tej.
I pandehuri nga koha e kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë në arrati. I njëjti është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga SHBA-ja në Kosovë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.