×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja finlandeze takon presidenten Osmani: Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës pa parakushte shtesë

    Reporteri
    25 Prill 2024 | 14:47

    Deputetja finlandeze, Tytti Tuppurainen ka takuar presidenten Vjosa Osmani.

    Në një postim në “X” Tuppurainen ka shkruar se Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës.

    Ajo më tej ka theksuar se nuk duhet të ketë parakushte shtesë për anëtarësim.

    “Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut në një shoqëri multietnike dhe bashkëpunim të bazuar në rregulla.

    Nuk duhet të ketë parakushte shtesë! Është koha për të vepruar. Takimi i shkëlqyer me presidenten Vjosa Osmani”, ka shkruar Tuppurainen.

    Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill mbështetën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

    Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

    Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Megjithatë, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave në maj.

    Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

    Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj.

    Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!