×
  • Lajme
  • Lajme / Faza finale

    Knaus: Kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me krijimin e Asociacionit, pamundëson realizimin e të dyjave

    Reporteri
    04 Maj 2024 | 20:03

    Ditët e fundit, Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz i kanë kërkuar Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të marrë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këto kërkesa bëhen vetëm disa javë para se Këshilli i Ministrave i kësaj organizate mund ta hedhë në votim anëtarësimin e Kosovës.

    Në një intervistë për Zërin e Amerikës, eksperti evropian që udhëheq Nismën Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus thotë se kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës me krijimin e Asociacionit, do të ishte gabim dhe do të bënte të pamundur realizimin e asnjërit prej tyre.

    “Qeveria vetë ka premtuar në letrën dërguar Këshillit të Evropës se do të ndërmarrë hapa së shpejti, jo në të ardhmen e largët, por tani. Më bien në mend shumë gjëra që qeveria mund t’i bëjë dhe më duket se këtë javë ka filluar të takojë komunat, të ftojë kryebashkiakët, të ulet me ta dhe të bisedojë për atë që duan konkretisht. Problemi është në veri, siç e dini, në katër komunat për shkak të dorëheqjes së kryebashkiakëve serbë dhe bojkotuan zgjedhjet dhe tani votuesve iu bë thirrje që të bojkotojnë përpjekjet për zgjedhjet të reja, nuk kemi kryebashkiakë. Por megjithatë, mund të kërkosh nga zëvendës kryebashkiakët, për të propozuar bashkarisht diçka për çfarë komunat duan, e më pastaj qeveria duhet të bëjë çfarëdo që është në fuqinë e saj për t’u siguruar se funksionon.

    Kemi shkruar së fundmi për këtë çështje. Mendoj se (asociacioni) është kurth i Presidentit serb Vuçiç dhe është një manovër efektive. Ai thotë, Kosova duhet ta themelojë asociacionin, që është e pazakontë, por çfarëdo që ata themelojnë, neve nuk do të na pëlqejë dhe do ta refuzojmë. Por po na pyetët ne çfarë duam, ne nuk hartojmë një propozim. Ajo që do Presidenti Vuçiç është një Republikë Serbe, në fakt ai do më shumë se një Republikë Serbe. Ai ka arritur të krijojë një situatë ku Qeveria e Kosovës do të bllokohet për diçka që ai, apo më me rëndësi komunat, nuk e kanë vënë mbi tryezë. Ky është një dështim i vërtetë i diplomacisë ndërkombëtare. Dhe po u lidhën këto dy çështje, Asociacioni me anëtarësimin në Këshill të Evropës, ju garantoj se asnjëra prej tyre nuk do të realizohet. Një rezultat i tillë do të ketë pasoja të rënda, shumë të dëmshme për pakicat, sepse Këshilli i Evropës ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave të pakicave, qasjes në Gjyqin Evropian të të Drejtave të Njeriut”, ka thënë Kanus në këtë intervistë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!