×
  • Lajme
  • Lajme / Vendimi i Gjykatës

    Gjuajtja me armë në Gracanicë, paraburgim për Amir Osmanin dhe “njeriun” e Veselinoviçit

    Reporteri
    18 Prill 2024 | 21:13

    Gjykata e Prishtinës e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për Amir Osmanin, të birin e Ismet Osmanit të njohur si “Curri” dhe biznesmenin kontrovers Mentor Beqiri, një sipërmarrës shqiptar nga Mitrovica,i cili është përmendur shumë si një nga bashkëpunëtorët e Zvonko Veselinoviqit, kriminelit të dyshuar serb nga veriu.

    Amir Osmani gjithashtu dyshohet edhe për veprën tjetër penale – armëmbajtje pa leje.

    Sipas njoftimit të publikuar nga Gjykata, paraburgimi është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.

    Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit andaj nëse dy të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të paarritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tyre dhe kjo do të vështirësonte përfundimin me sukses të kësaj procedure.

    Sipas njoftimit, të pandehurit Mentor Beqiri dhe Amir Osmani nëse do të jenë në liri mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar te të pandehurit e tjerë, bashkëpjesëmarrësit të cilët janë në arrati, gjithashtu mund të ndikojnë edhe te dëshmitarët e rastit.

    Amir Osmani dhe Mentor Beqiri janë arrestuar më 16.04.2024 në Graçanicë.

    Policia e Kosovës në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, ka njoftuar se të shtënat me armë kanë ndodhur të martën rreth orës 15:00.

    “Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, kanë thënë nga Policia.

    “Bazuar në informacionet fillestare nuk raportohet për persona të lënduar. Deri tani në stacion policor janë shoqëruar në stacion dy persona të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit”.

    Të shtëna me armë në rrugën Llapnasellë-Graçanicë, dy të arrestuar

    Njeriu i Veselinoviçit, Mentor Beqiri është një sipërmarrës shqiptar nga Mitrovica.  Emrin e tij për opinionin e gjerë e bëri të ditur që në vitin 2011 gazeta amerikane The New York Times, përmes një hulumtimi: “Në Kosovë, kontrabanda nxit bashkëpunimin e pazakontë ndëretnik”.

    Kjo gazetë amerikane shkruante që Mentor Beqiri ishte ana tjetër në Kosovë e operacioneve të kontrabandës të Zvonko Veselenoviqit, ky fundit tashmë i futur në listën e zezë të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Mentor Beqiri njihet si biznesmen problematik, i cili me rrjetin e bizneseve të tij operon kryesisht në veri të vendit. Ai është një biznesmen që jo rrallë herë është paraqitur para Gjyqit si i akuzuar.

    Në vitin 2009 ishte akuzuar për kontrabandë me naftë, por çuditërisht, akuzat u rrëzuan në mungesë provash.

    Hetuesit u kishin thënë gazetarëve amerikanë që Beqiri e Veslenoviçi bashkëpunonin në kontrabandë përmes rrjetit të pompave të benzinës që kishte Mentor Beqiri dhe se kur duhej të takoheshin, e bënin këtë nëpër enklava serbe.

    Mentor Beqiri ishte përmendur edhe nga kryeinspektori i Punës nga regjioni i Mitrovicës së Veriut, Nexhat Fazliu. Ai gjobiti kompaninë e tij me 10 mijë për shkak të mostrajtimit të duhur të një punëtoreje të mitur. Inspektori i punës, Nexhat Fazliu, mori vendimin që të hetohej ky rast dhe krejt telashet, sipas tij, me Mentor Beqirin filluan aty.

    Inati duket që nuk i kaloi Mentor Beqirit. Nexhat Fazliu përfundoi i sulmuar brutalisht. Edhe Prokuroria e Shtetit pati thënë që e sulmuan punëtorët e Mentor Beqirit me urdhër të Mentor Beqirit.

    Ai tutje tregoi se pas sulmit brutal ndaj tij çka do të ndodhte me Mentor Beqirin dhe grupin e tij.

    “Fillimisht është shqiptuar gjoba në shumën prej 10 mijë eurove ku dy javë pas pranimit të gjobës që ka shkuar me post. Mentor Beqiri, pronar i subjektit MAB SH.p.k i ka urdhëruar punëtorët e vet, të cilët më kanë ardhë në vendlindjen time në fshatin tim, persona të maskuar dhe më kanë sulmuar me shkopinj të bejsbollit dhe më kanë lënë për vdekje”, kishte deklaruar ai.

    Prokuroria kishte akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë Behar Halilin e Shpëtim Tahirin, derisa e përmend si pjesëmarrës në sulm edhe Mehmet Kurti, i cili do të vritej në një incident tjetër më vonë. Mentor Beqiri është akuzuar për shtyrje në vrasje të rëndë në tentativë.

    Mentor Beqiri i akuzuar për shtyrje në vrasje të rëndë në tentativë kundër Fazliut, kishte dhënë një deklaratë për Insajderi gjatë vitit 2021.

    “Unë nuk e kam urdhëruar sulmin ndaj Nexhat Fazliut dhe as kolegët e mi nuk e kanë sulmuar. Aktakuza nuk ka prova. Mendoj që deklarata e Fazliut është për ti bërë presion psikik Prokurorisë dhe Gjykatës”, kishte thënë ai.

    Mentor Beqiri, që me kompaninë e tij MAB ndërton banesa edhe në Serbi, por edhe në Kosovë, ka pasur disa procese gjyqësore. Në vitin 2012 madje u ndalua edhe nga EULEX.

    “Dimensionet e biznesit kriminal të udhëhequr nga Mentor Beqiri duket të jenë të mëdha. Prova e marrë nga regjistrimi dhe përgjimi i telekomunikimeve të tij ka zbuluar se Mentor Beqiri është gjithashtu i përfshirë në veprimtari lidhur me ndërtimin dhe shitjen e pronës së paluajtshme në emër të kompanisë ‘Project Energineering’, firmë kjo e paregjistruar… në Fushë-Kosovë dhe dy të tjera në pjesën jugore të Mitrovicës”, ka përshkruar prokurori veprimtarinë e tij.

    “Kjo veprimtari ka mundur të jetë kanal përmes të cilit janë pastruar përfitimet e ardhura nga shitja e karburantit të kontrabanduar”, kishte deklaruar prokurori i EULEX, Olivier Beauvallet.

    Edhe Amir Osmani është person i njohur për organet e drejtësisë.

    Ai në vitin 2021 ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, si i dyshuar për rrëmbim, fajde dhe blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikeve, substancave psikotropike dhe analoge, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai dyshohej se kishte kidnapuar një person dhe fajde e trafikim me drogë.

    Policia atë kohë kishte njoftuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij kishte gjetur para të gatshme mbi 12 mijë euro të cilat dyshohej se ishin përfituar me anë të veprës penale si dhe substancë narkotike të llojit kokainë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!