Instituti Musine Kokalari thotë se Kosova ka shënuar rënie alarmante të fuqisë punëtore. Sipas këtij instituti më të goditurit janë të rinjtë dhe gratë.
Duke iu referuar statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përmes Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2024, ky Institut thotë se Kosova ka humbur 11.006 vende pune në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023. Numri i përgjithshëm i të punësuarve ka rënë nga 425.499 në vitin 2023, në 414.493 në vitin 2024. Rënia prek të dy gjinitë: 3.850 gra dhe 7.256 burra më pak të punësuar sesa një vit më parë.
Por humbja më e thellë, siç nënvizon Instituti, ndodh në nivelin e përgjithshëm të fuqisë punëtore aktive dhe joaktive, me një tkurrje totale prej 97.059 personash brenda një viti. Nga 477.350 persona aktivë në vitin 2023, ky numër bie në 464.567 në 2024. Ndërsa, numri i personave joaktiv (qytetarë të moshës së punës që nuk janë as të punësuar dhe as të regjistruar si punëkërkues aktiv) ka rënë me 84.276 persona.
“Rënia e fuqisë punëtore për gati 100 mijë persona në një vit nuk mund të neglizhohet, relativizohet apo fshehet pas përqindjeve të llogaritura ndryshe,” – theksohet në reagimin e Institutit.
Instituti e konsideron shkallën e lartë të inaktivitetit si një nga treguesit më të rëndë të gjendjes socio-ekonomike në vend. Për vitin 2024, 56.8% e popullsisë së moshës së punës është joaktive, çka vendos Kosovën në një pozicion negativ krahasuar me vendet e rajonit. Për ilustrim, Shqipëria kishte vetëm 23.3% joaktivë në tremujorin e parë të vitit 2025.
Instituti thekson se megjithëse informaliteti në ekonomi vazhdon të jetë një ndër shpjegimet e mundshme për nivelin e lartë të joaktivitetit, ai nuk mund të mbulojë mangësitë në politikat e punësimit dhe mungesën e masave efikase.
Gratë mbesin grupi më i goditur. Vetëm 114.410 gra ishin të punësuara në 2024, krahasuar me 398.288 që ishin jashtë tregut të punës. Kjo pabarazi gjinore, sipas Institutit, është një problem kronik, i neglizhuar nga të gjitha qeveritë:
“Ky është një problem madhor historik në tregun e punës, i cili është një prej indikatorëve shumë të rëndësishëm të pabarazisë gjinore në vendin tonë. Fatkeqësisht asnjë qeveri nuk e ka trajtuar seriozisht këtë problem.”
Rinia gjithashtu përballet me sfida të rënda. Papunësia te grupmosha 15-24 vjeç u rrit në 19.5% në vitin 2024, nga 17.3% në vitin paraprak. Në këtë kategori, vajzat e reja janë më të prekura, me 24.7% papunësi, kundrejt 16.7% te meshkujt.
Një tjetër aspekt shqetësues është edhe punësimi i paqëndrueshëm, i cili përbën 14.5% të punësimit të përgjithshëm, që përkthehet në rreth 60 mijë vende pune.
Instituti Musine Kokalari kërkon arsyetim të qartë dhe përgjegjësi institucionale për këtë rënie masive të fuqisë punëtore:
“Kjo kërkon arsyetim të qartë nga institucionet përkatëse:
Cilat janë arsyet e kësaj rënie masive?
Çfarë masa po ndërmerren konkretisht për rikthimin e qytetarëve në tregun e punës?
Ku është progresi i premtuar në formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e punësimit?
Pse gratë dhe të rinjtë vazhdojnë të mbesin jashtë tregut të punës?”
Në përfundim, Instituti bën thirrje për veprim konkret, jo vetëm deklarime optimiste:
“Kërkojmë përgjegjësi, transparencë dhe veprim konkret, jo narrativë të stisur për sukses imagjinar.”