×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosovarët e dasmave e ndejave, e përjetojnë rëndë pandeminë

    Reporteri
    03 Dhjetor 2020 | 14:36

    Miliona njerëz kanë gjetur vdekjen, e mijëra të tjerë kanë mbetur me dëmtime shëndetësore nga pandemia COVID-19, që ka pushtuar gjithë globin. Përpos ekzistencës, ekonomisë e ambientit, kjo pandemi me pasoja do të jetë edhe në aspektin social. Këto janë perceptime se si kjo pandemi ndikoi në aspektin shoqëror në Kosovë, duke ditur që kosovarët janë popull shumë të lidhur njëri me tjetrin, si në raste gëzimi e hidhërimi


    Bota ka ndryshuar formën e funksionimit, që kur u paraqitën rastet e para me COVID-19, një sëmundje e panjohur kjo, që për kohë të shkurtë u shndërrua në pandemi, preku gjithë botën dhe po vazhdon të lë pasoja të mëdha, më shumë se luftërat madje.

    Rastet me vdekje e të infektuar janë rritur edhe në Kosovë, duke bërë kështu që të merren masa, të kufizohen lëvizjet, të mbahen maskat e distanca, një stil jetese që për kosovarët nuk ishte aq i lehtë për t’u besuar fillimisht, e pastaj për t’u pranuar e praktikuar.

    Një vështirësi në këtë pjesë, qëndron edhe të ndalimi i vizitave te njerëzit më të dashur, një fakt që nuk u pranua as si mendim, lëre më të vihet në zbatim.

    Sociologu Labinot Kunushevci, për Syri Kosova ka treguar se çka krijuar një situatë e tillë te populli në Kosovë.

    “Sigurisht se pandemia ka prodhuar pasoja psikike dhe sociale. Kufizimet si detyrime të jashtëzakonshme, në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik, kanë prodhuar një ankth social, një konsum psikik, duke rritur nivelet e stresit” tha ai.

    Madje, sociologu këtë problem shoqëror e sheh në dy dimensione.

    “Dimensioni i parë, i pakënaqësisë shoqërore sepse janë ndërprerë shumë aktivitete familjare dhe shoqërore ekonomike e kulturore dhe kjo ka ndikuar në çrregullimin e shumë planeve. Në anën tjetër, izolimi ka kthyer në vëmendje rëndësinë e bashkësisë dhe solidaritetit familjar. Prandaj pandemia është një sprovë njerëzore prej së cilës njerëzit e mençur dhe vetëdijshëm marrin mësim. Këto probleme do të mund të menaxhoheshin më mirë, pa pasoja serioze, sikur shteti t’iu dilte në mbështetje reale ekonomike dhe sikur familjet kosovare ta përjetonin këtë kufizim me durim, shpresë, kujdes, solidaritet familjar etj” shtoi në fund Kunushevci.

    E rëndë për të mos shkuar te familjarët e saj të afërt dhe të largët, sidomos në raste gëzimi e hidhërimi, vazhdon të jetë për qytetaren Hajrie H.

    Ajo për Syri Kosova krahasoi periudhën se si janë vështirësuar vizitat vite më parë, në kohën e luftës dhe tani.

    “Çka me thanë, atëherë zor u kon boll me shku dikun. U desht ja me shku tu ecë, ja me naj kerr me kali. Po edhe kur je shku u desht me nejt me ditë a me javë se u kanë zor mu kthy. Po edhe s’të kanë lanë mu kthy se atëherë ka pas ma shumë razi, ma shumë dashni” tha e moshuara.

    E sa i përket kohës së luftës, zonja në fjalë tha se në atë kohë e kanë ditë prej kujt të ruhen.

    “Edhe në luftë se kem nal zijaretin te akrabaja. U kanë vakt i shtirë boll, po e kem ditë prej kujt mu ru, qysh me ikë e se kem lanë pa shku me bo argatin në naj dasëm t’vogël, ja pa shku me kry borxhin kur u dek najkush” tha ajo.

    Kurse, për periudhën e pandemisë, Hajrie H. ka thënë se është akoma më e vështirë, se nuk po kanë guxim as me e dhënë dorën te tjetri, e as të kenë kontakt të afërt.

    “Kjo ish hala ma zor. Mos me guxu me shku me pa, boll marre ish. Edhe me shku, duhet me ngjitë maska e mi nejt njerit larg si me pas naj smuj që ta ngjet, boll keq. E për dasma s’di çka me te thanë. Tash kanë ndrru tradita krejt, po i bajn dasmat në restorante ma pleqt s’i thirr kush. Bile për dasma boll mirë ja kanë ba” tha ajo.

    Si përfundim, frikë e vetme tani e aspektit social është që kjo largësi që u shkaktua nga pandemia, të jetë shkaktare për ftohjen më të madhe të raporteve mes familjarëve. Kjo madje ka qenë edhe lutja e të moshuarës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!