×
  • Lajme
  • Lajme / AGK

    Gazetarja Ardiana Thaçi Mehmeti, cak i sulmeve në grupin “Albkings”

    Reporteri
    07 Maj 2024 | 23:11

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim të thellë thotë se po i përcjellë raportimet e Kiks Kosova për shpërndarjen e numrit personal të gazetares, Ardiana Thaçi Mehmeti, në grupin Albkings.

    Në emisionin e fundit të Kiks Kosova, i cili i është dedikuar ekskluzivisht shqetësimit të vazhdueshëm që i është bërë gazetares Thaçi Mehmeti nga dhjetëra burra që janë pjesë e këtij grupi, bëhet e ditur se numri i është shpërndarë qëllimisht në shenjë hakmarrjeje për raportimet e mëparshme të saja lidhur me Albkings.

    Gazetarja ka pranuar telefonata e mesazhe të shumta nga pjesëtarë të atij grupi, jo vetëm në numrin personal, por edhe në llogaritë e saja në rrjetet sociale.

    Publikimi i numrit personal të gazetares Thaçi Mehmeti në shenjë hakmarrjeje nga Albkings, jo vetëm që e rrezikon sigurinë e saj personale, por edhe shërben si tentim për ta frikësuar dhe heshtur atë.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon shpërndarjen e numrit, si dhe mesazhet e telefonatat denigruese që ka pranuar ditëve të fundit gazetarja Thaçi Mehmeti, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të saj.

    AGK-ja, i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, që urgjentisht të ndërmarrin hapat e nevojshëm lidhur me rastin e paraqitur nga kolegia Thaçi Mehmeti, në mënyrë që personi/at që e kanë shpërndarë numrin, dhe ata të cilët e kanë kontaktuar atë, të përballen me ligjin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!