×
  • Lajme
  • Lajme / Faza finale

    Kurti në Berlin flet për anëtarësimin në KiE: Duam t’i bashkohemi klubit të demokracive evropiane

    Reporteri
    25 Prill 2024 | 14:34

    Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti  gjatë qëndrimit në Gjermani, pati sot një mëngjes pune në Fondacionin Bertelsmann me, siç tha, personalitete të rëndësishme e studiues, në mesin e tyre deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e social demokratëve, Frank Schwabe, drejtuesin e Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtoren ekzekutive të fondacionit, Daniela Schwarzer.

    Në fjalën e tij, kryeministri Kurti nënvizoi qëllimin e Kosovës drejt integrimeve euratlantike për anëtarësim në NATO dhe Këshill të Evropës dhe rëndësinë historike e momentumin e marrëdhënieve të Kosovës me Gjermaninë dhe shtetet demokratike evropiane, thekson komunikata.

    “Hapin e parë e bëmë në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe shumica e demokracive në Evropë na njohën. Hapi i dytë ka të bëjë me bashkimin me institucionet që janë shtyllat e Evropës demokratike. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s si një ombrellë sigurie për kontinentin tonë. Ne duam t’i bashkohemi Bashkimit Evropian si projekti dhe procesi më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit. Por, hapi i parë që duhet të bëjmë tani është t’i bashkohemi klubit të parë të demokracive evropiane, i krijuar pikërisht në këtë muaj 75 vjet më parë në Londër: Këshilli i Evropës”, tha Kryeministri Kurti.

    Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në respektimin e vlerave të përbashkëta, të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë. I bëri thirrje zyrtarëve të Gjermanisë që të vijojnë ta mbështesin Kosovën edhe në fazën e fundit të votimit dhe arritjes së anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

    Kryeministri Kurti u shpreh se pranimi i Kosovës si anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës në 75-vjetorin e saj këtë vit është një përparim historik, për Kosovën dhe qytetarët e saj, për rajonin dhe për të gjithë Këshillin e Evropës, ku të gjithë qytetarët do të përfitojnë e veçanërisht dhe minoritetet në vendin tonë.

    Në përfundim, kryeministri e falënderoi Fondacionin Bertelsmann për mikpritjen, kontributin dhe interesimin e tyre, duke veçuar politikanët që tashmë na mbështesin kaq shumë në Gjermani dhe Evropë.

    Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill mbështetën raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

    Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

    Votimit i parapriu një debat që zgjati më shumë se dy orë. Shumica e deputetëve që morën fjalën e mbështetën anëtarësimin e Kosovës. Megjithatë, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave në maj.

    Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

    Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj.

    Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!