×
  • Lajme
  • Lajme

    Marrëveshja është arritur mbrëmë: Këto janë pozitat që janë ndarë në mes të VV’së e LDK’së

    Reporteri
    12 Dhjetor 2019 | 15:18

    Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, mbrëmë kanë definuar pothuajse gjithëçka rreth marrëveshjes së koalicionit qeverisës në mes tyre, edhe pse atë refuzuan ta bëjnë publike, për disa arsye të cilat i ka mësuar Gazeta Online “Reporteri.net”. Në takimin e liderëve të partive, Kurti e Mustafa janë qartësuar edhe ministritë që do t’i drejtojnë secila nga partitë e koalicionit, e gjithashtu edhe postet e larta si, kryeministri, kryeparlamentari e presidenti.


    Gazeta Online “Reporteri.net”, nga burime brenda palëve mëson se për postin i presidentit të vendit, që ishte bërë pengesë për arritjen e marrëveshjes, palët kanë gjetur një formulë, ku kjo pozitë e lartë shtetërore do t’i takojë LDK’së, por është lënë si temë e hapur që detajet të përcaktohen më vonë, pasi deri te zgjedhja e tij ka ende kohë, rreth një vit e gjysmë, kohë kur presidentit Thaçi i përfundon mandatin pesëvjeçar.

    Palët kanë arritur pajtim edhe për postin ministror për të cilin u tha edhe në opinion se pretendime kishin të dy subjektet e koalicionit, e që bëhet fjalë për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kjo ministri do t’i takojë LDK’së, ashtu siç e kishte kërkuar Isa Mustafa që në fillim, dhe si kompromis i kësaj, VV do të marrë resorin qeveritar më të rëndësishëm pas kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme.

    Ndërsa, posti i kryeparlamentarit, siç është thënë që nga fillimi, do t’i takojë LDK’së.

    Por, pse kjo marrëveshje nuk u publikua mbrëmë pas takimit Kurti – Mustafa, dhe u la të publikohet ditët në vijim. Reporteri.net, ka mësuar se kjo ka ndodhur, meqë ishte mbrëmje, të mos cilësohet nga opozitarët me epitete si ‘aksham pazar’ apo ‘marrëveshje e territ’.

    Tutje, më poshtë po listojmë ndarjen e pozitave sipas marrëveshjes së mbrëmshme.

    Lëvizja Vetëvendosje në bazë të marrëveshjes së mbrëmshme do të marrë:

    Kryeministrin, Zv. Kryeministrin e dytë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financave, dhe një ministri e brenda së cilës do të fuzionohen disa nga ministritë aktuale, e që do të jetë Ministria e Administratës Publike dhe Mirëqenies Sociale.

    Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në Kuvend ka vetëm një deputet më pak se partneri i madh i koalicionit, do të marrë:

    Zv. Kryeministrin e Parë, Kryeparlamentarin, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe një ministri e cila gjithashtu fuzionon disa ministri aktuale e që do të jetë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik.

    Ndërsa, dy ministritë që u janë lënë minoriteteve, janë Ministria e Kthimit dhe Ministria e Kulturës.

    Meqë, numri i ministrive do të zvogëlohet, nga 21 në 12 sosh, palët tashmë e kanë definuar edhe ndarjen e nëntë ministrive aktuale, se si dhe në cilat ministri do të shkrihen ato, duke i fuzionuar me ministritë që do t’i drejtojë secila nga dy partitë bashkëqeverisëse. /reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!