×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministria e Jashtme gjermane tregon për takimin me Kurtin

    Reporteri
    26 Prill 2024 | 23:06

    Zyra gjermane për Punët e Jashtme ka komentuar takimin që ka pasur ministrja e Jashtme, Analena Baerbok me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    “Vetëm tri javë para takimit të Komitetit të Ministrave në Strasburg. Baerbok diskutoi me Kurtin në margjinat e Petersberg24 se si të mundësohet rruga e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Zyra Gjermane për Punë të jashtme në rrjetin social “X”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka folur për vizitën e tij në Gjermani.

    Ai ka shkruar se në vitin kur Këshilli i Evropës i mbush 75 vjet nga themelimi i saj, në këtë përvjetor ajo duhet të zgjerohet dhe me Kosovën si anëtare të 47-të, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Ne duam të kontribojmë dhe pasurojmë vlerat e parimet demokratike të kësaj organizate. Anëtarësimi ynë, përbën dhe hapin e parë drejt bashkimit tonë me familjen evropiane”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka shtuar se regjimet autoritare e jo-demokratike janë përjashtuar ose po kërcënojnë me largim nga Këshilli i Evropës, ndërsa Kosova po kërkon me meritë anëtarësimin në këtë organizatë që mbron e promovon pikërisht të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.

    “Fuqizimi i marrëdhënieve me partnerët e aleatët tanë gjermanë është përherë i domosdoshëm e mban gjithmonë një vend të veçantë në politikën tonë të jashtme”, ka shkruar ai.

    Kurti ka thënë se dy ditë kanë qenë të mbushura me takime.

    “Kryefjala e vizitës sonë ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilën bëmë thirrje për mbështetje të mëtejme nga aleatët tanë gjermanë”, ka shkruar ai.

    Ai ka takuar Ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, Ministrin për Ushqim dhe Bujqësi, Cem Oezdemir, bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, e dhjetëra deputetë të Parlamentit gjerman nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), Bashkimit Demokristian (CDU), Partisë së Gjelbër (Grune) dhe Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

    “Morëm pjesë në ngjarjen e organizuar nga grupi parlamentar i SPD-së në shënimin e 75 vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës dhe në bashkëbisedimin e organizuar nga Fondacioni Bertelsmann, ku në mesin e të pranishmëve ishin drejtuesi i Iniciativës së Stabilitetit Evropian (ESI), Gerald Knaus dhe drejtorja ekzekutive e fondacionit, Daniela Schwarzer”, ka shkruar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!