×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajçak: Zgjedhjet në veri në përputhje me Kushtetutën, grupet kriminale që përdorën dhunë të ndëshkohen

    Reporteri
    06 Qershor 2023 | 12:20

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, z.Miroslav Lajčák.

    Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

    Sipas Presidentes Osmani, ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.

    Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

    Në takim me të dy emisarët, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-të dhe BE-në, në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!