×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi

    Osmani pret përfaqësuesit diplomatikë të disa shteteve anëtare të KiE-së

    Reporteri
    18 Prill 2024 | 19:55

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorë e të ngarkuar me punë nga ambasadat e Suedisë, Austrisë, Holandës, Finlandës, Zvicrës, Luksemburgut dhe Belgjikës.

    Përfaqësuesit e këtyre shteteve përgëzuan Osmanin për suksesin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq presidentja i falënderoi për mbështetjen e madhe në votimin në këtë Asamble.

    “Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar drejt rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut që i ofron kjo organizatë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

    Në takim u shkëmbyen mendime për rrjedhën e mëtejme të procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, sikurse edhe sfidave dhe mundësive.

    Osmani theksoi se mbështetja e këtyre shteteve për Kosovën është e rëndësishme edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.

    “Në këtë kontekst, Osmani përsëriti përkushtimin e palëkundur të Kosovës për ruajtjen e vlerave dhe standardeve evropiane, duke theksuar progresin e bërë në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatë.

    Përgjatë ditëve në vijim, presidentja do të takojë edhe përfaqësues të shteteve të tjera anëtare në Këshillin e Evropës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!