×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca

    Opozita kërkon debat parlamentar për gjetjet e raportit të DASH-it

    Reporteri
    25 Prill 2024 | 11:07

    Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku në rend të ditës do të jenë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.

    Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që të futet në rend dite një debat parlamentar për gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Një kërkesë të tillë e patën edhe dy partitë tjera opozitare LDK e AAK, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se ky raport është shqetësues për Kosovën dhe duhet të trajtohet në këtë seancë.

    “Një treta e kësaj qeveria është nën hetime nga Prokuroria e Shtetit. Nuk po e themi ne, mirëpo po e thotë DASH, përshkruhet qartë aty edhe dhuna ndaj gazetarëve dhe ajo ndaj gruar. Mendoj se në këtë çështje duhet të tregojmë seriozitet më të madh dhe duhet ta trajtojmë këtë raport në këtë seancë, menjëherë pas pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës.”, tha Tahiri.

    Edhe nga LDK thanë se gjetjet e këtij raporti janë të rënda dhe duhet të përfshihen në debat në Kuvend gjatë ditës së sotme.

    “Ky Kuvend duhet të jetë vendi ku ne i diskutojmë e ballafaqojmë qëndrimet tona, i japim opinionet e propozimet tona, Fatkeqësisht ky institucioni më së paku është institucion përfaqësues, e pastaj shumë pak mbikëqyrës sepse qëllimisht kjo shumicë parlamentare ka pamundësuar funksionin mbikëqyrës të Kuvendit duke sabotuar çdo punë që ka të bëjë me mbikëqyrjen insitucionale duke krijuar situatën ku ne kur flasim për problemet e vendit tonë tu referohemi institucioneve të huaja. Ne duhet të flasim sot për censurën dhe kufizimet e mediave që i evidenton raporti, presionin dhe ndërhyrjen politike në gjyqësi, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe plot gjetje të tjera të raportit”, tha Arben Gashi.

    Debat parlamentar për gjetjet e raportit të DASH-it kanë kërkuar edhe nga AAK.

    Ndërkaq shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila propozoi që ky raport por edhe ai i Freedom House të diskutohen në një seancë të veçantë të Kuvendit.

    “Përveç faktit të rëndësisë së bashkëpunimit me ShBA-në dhe kredibilitetin e raportit të DASH-it, të gjeturat e këtij raporti kanë qenë gjithmonë të rëndësishme, por gjithashtu edhe me hapësirën për diskutim. Duke e ditur rëndësinë edhe peshën, do vëja në spikatje që Raporti flet në detaje për lëshimet e sistemit të drejtësisë prej viteve të mëhershme 2018-2019 në raport me dhunën ndaj grave, me një vrasje specifike dhe dështimin e Gjykatës Themelore në Gjilan më 2019 për të mbrojtur një grua nga ish-bashkëshorti i saj, pas dy viteve e cila rezulton tani të jetë e ndjerë, pasi ai e vrau. Gjithashtu përmend shkeljen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, përmend rastet e ish-ministrave në proces të gjykimit, qofshin në procese të stërzgjatura me vite, që dmth nënkupton qeveritë e kaluara. E gjithashtu ka disa lëshime të vogla në raporte statistikore, me prezencën e grave në qeveri”, tha Kusari Lila.

    “Raporti ka gjetje interesante që ja vlen të bëhen krahasime, dhe aty mund të vërehet progresi ose dështimi, e jo mbi vënien e një fokusi në një paragraf. Duke e ditur peshën e këtij raporti, ne si grup parlamentar propozojmë që të organizohet një seancë e veçantë. Edhe për Raportin e “Freedom House”, e të gjithë së bashku te reflektojmë se a kemi progres dhe regres. Ky nuk është një raport që kërkon urgjencë. Të caktojmë ditën bashkë javën e ardhshme që të diskutojmë për këtë raport, sot nuk e besojmë që është kjo urgjencë raporti i DASH-it”, shtoi ajo.

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar të hënën raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023.

    Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

    Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera. /Reporteri.net/

    Korrupsion serioz i qeverisë dhe probleme me pavarësinë e gjyqësorit, këto janë gjetjet e raportit të Departamentit të Shtetit për Kosovën

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!