×
  • Lajme
  • Lajme

    Përafrohen qëndrimet mes VV e LDK, gjasa të mëdha për marrëveshje sonte

    Reporteri
    11 Dhjetor 2019 | 16:55

    LVV dhe LDK-ja janë afër arritjes së një marrëveshje politike për bashkëqeverisje. Gjithçka pritet të zyrtarizohet pas takimit të orës 17:00, i cili është paralajmëruar mes dy liderëve Albin Kurti e Isa Mustafa.


    Albin Kurti dhe Isa Mustafa pritet të takohen pas pak minutave, në objektin e Kuvendit të Kosovës.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, me burime, merr vesh se përkundër se takimi i liderëve do të ndodhë në ora 17:00, marrëveshja mes dy partive tashmë është e arritur.

    Të njëjtat burime i kanë thënë Reporterit se VV-ja, si partia e parë e zgjedhjeve të tetorit, dhe LDK-ja, kanë arritur tashmë pajtueshmëri për ndarjen e ministrive.

    Takimi i sotëm, Kurti-Mustafa, siç mëson Reporteri.net do të jetë definues vetëm për çështjen e postit të Presidentit. Post të cilin kryetari i LDK-së Isa Mustafa insiston ta ruaj për vete.

    Sipas këtyre burimeve, tashmë VV dhe LDK kanë përafrim edhe në këtë çështje, por pa shpjeguar se si pritet të definohet.

    Ajo çka pritet të ndodhë pas këtij takimi është zyrtarizimi i koalicionit mes dy partive, që gjatë qeverisjes së koalicionit PANA ishin në opozitë, shkruan Reporteri.net.

    Takimi i fundit mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës kishte ndodhur më 2 dhjetor të këtij viti, por që kishte përfunduar pa marrëveshje politike mes dy partive që shenja bashkëpunimi kishin treguar gjatë mandatit të shkuar dhe paralajmërime për bashkëqeverisje kishin bërë edhe gjatë gjithë fushatës zgjedhore.

    Ndërkohë, pak minuta më herët Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka njoftuar se e ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës për datën 24 dhjetor 2019. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!