×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca e Kuvendit

    S’kalon propozimi i PDK-së që të diskutohet për raportin e DASH-it

    Reporteri
    25 Prill 2024 | 12:34

    Nuk ka kaluar propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës që në seancën e Kuvendit të enjten të futet në rend dite diskutimi në lidhje me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

    Një kërkesë të tillë e patën edhe nga LDK e AAK. Por nga partia në pushtet kërkuan që një seancë e tillë të mbahet një ditë tjetër.

    Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila propozoi që ky raport por edhe ai i Freedom House të diskutohen në një seancë të veçantë të Kuvendit.

    “Përveç faktit të rëndësisë së bashkëpunimit me ShBA-në dhe kredibilitetin e raportit të DASH-it, të gjeturat e këtij raporti kanë qenë gjithmonë të rëndësishme, por gjithashtu edhe me hapësirën për diskutim. Duke e ditur rëndësinë edhe peshën, do vëja në spikatje që Raporti flet në detaje për lëshimet e sistemit të drejtësisë prej viteve të mëhershme 2018-2019 në raport me dhunën ndaj grave, me një vrasje specifike dhe dështimin e Gjykatës Themelore në Gjilan më 2019 për të mbrojtur një grua nga ish-bashkëshorti i saj, pas dy viteve e cila rezulton tani të jetë e ndjerë, pasi ai e vrau. Gjithashtu përmend shkeljen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, përmend rastet e ish-ministrave në proces të gjykimit, qofshin në procese të stërzgjatura me vite, që dmth nënkupton qeveritë e kaluara. E gjithashtu ka disa lëshime të vogla në raporte statistikore, me prezencën e grave në qeveri”, tha Kusari Lila.

    “Raporti ka gjetje interesante që ja vlen të bëhen krahasime, dhe aty mund të vërehet progresi ose dështimi, e jo mbi vënien e një fokusi në një paragraf. Duke e ditur peshën e këtij raporti, ne si grup parlamentar propozojmë që të organizohet një seancë e veçantë. Edhe për Raportin e “Freedom House”, e të gjithë së bashku te reflektojmë se a kemi progres dhe regres. Ky nuk është një raport që kërkon urgjencë. Të caktojmë ditën bashkë javën e ardhshme që të diskutojmë për këtë raport, sot nuk e besojmë që është kjo urgjencë raporti i DASH-it”, shtoi ajo.

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar të hënën raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023.

    Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

    Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera. /Reporteri.net/

    Opozita kërkon debat parlamentar për gjetjet e raportit të DASH-it

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!