×
  • Lajme
  • Lajme / Pas gjashtë vitesh

    “Sulltani” i pafajshëm, bie në rigjykim aktakuza “Drenica 1” për krime lufte

    Reporteri
    25 Prill 2024 | 13:29

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuzat për krime lufte ish-eporët e UÇK-së, Sylejman Selimin dhe Jahir Demakun, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kryetari i trupit gjykues, gjatë leximit të shpalljes së aktgjykimit të rastit “Drenica 1”, bëri të ditur se Gjykata në rigjykim s’kanë arritur t’i vërtetojnë pretendimet e Prokurorisë dhe në mungesë të provave i ka liruar të pandehurit nga aktakuza.

    “Të akuzuarit, Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku, lirohen nga akuza, sepse në gusht të vitit 1998, të akuzuarit u akuzuan se kanë kryer krime kundër popullatës civile që parashihej dhe dënohej me nenin 22 dhe 142 të këtij kodi që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, e që në kohën e ngritjes së aktakuzës ishte penalizuar me nenin 31 dhe 152 të kodit penal të Republikës së Kosovës. Të akuzuarit akuzoheshin se kanë cenuar identitetin e një personi në Mitrovicë. Me këto veprime kishin për të kryer veprën penale krime lufte. Gjykata konstaton se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila u vihet në barrë, andaj dhe të njëjtit i liroj nga akuza”, u tha në shpallje të aktgjykimit.

    “Trupi Gjykes ka nxjerrë konkludimin se nuk ka arritur të vërtetohet se cilit person ia kanë cënuar integritetin trupor dhe shëndetin, pasi viktima e pretenduar nuk është arritur të identifikohet, dhe as dëshmitarët të identifikohen, dhe rrjedhimisht gjykata vë theksin në faktin se: se pa mbështetje në asnjë provë, ka qenë e mangët në rastin konkret, e poashtu specifikohet se trupi gjykes lidhur me vendimin, vendimin e tij e mbështet në praktikat vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet tutje në aktgjykim.

    Sylejman Selimi si i dënuar në rastet Drenica 1 dhe 2, kishte vuajtur dënimin prej 8 vjetësh burgim gjithsej për të dyja rastet. Shpallja e tij i pafajshëm gjatë rigjykimit të rastit “Drenica 1”, në rast se aktgjykimi i sotëm vërtetohet në formën e prerë, nënkupton se atij do të duhej t’i kompensohej njëra periudhë e qëndrimit në burg.

    Rasti “Drenica 1”, ishite ktyher në rigjykim qysh në vitin 2018, por shqytrimi i tij për të dyten herë në Gjykatë kishte rifilluar tek në prill të 2024-tës, pasi lënda ka kaluar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës në atë të Prishtinës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!