×
  • Lajme
  • Lajme

    Vasfije Krasniqi bëhet deputete: Do të jem zë i fuqishëm institucional i të mbijetuarve të luftës

    Reporteri
    19 Shkurt 2021 | 18:35

    Kandidatja për deputete nga Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, ka thënë se do të jetë vetvetja në misionin për të përfaqësuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë, duke nënkuptuar se ka fituar votat për të qenë deputete.


    Ajo në një postim në Facebook thotë se ka marrë mijëra mesazhe që e nxisin dhe e urojnë për të qenë zëri i atyre që përjetuan të njëjtën fatkeqësi si Krasniqi, njofton Klan Kosova.

    “Në këto ditë, kam marrë me mijëra e mijëra mesazhe, urime, përshëndetje, nxitje, mbështetje, për të qenë vetvetja në misionin që më pret, zëri i fuqishëm institucional i të mbijetuarve. Ju falënderoj të gjithëve, një për një. U premtoj se do të jem ai zë që doni ta dëgjoni, do të punoj e luftoj për drejtësinë që na përket e që duhet ta arrijmë. Unë jam thellësisht e bindur që do të korrim rezultatet e shpresuara dhe këtë bindje ma jep prania juaj, mbështetja juaj, përkrahja juaj, dashuria që më shfaqni”.

    Krasniqi ka shkruar se Vetëvendosje e ka ndër prioritete shtyrjen përpara të temave të tilla.

    “Për mua ka qenë privilegj të garoj si kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje. Nr.4 që mbajta në këtë listë flet për prioritetin me të cilin ky grupim politik, i konsideron temat e përpjekjes së armatosur për liri, që ndërmorrëm 20 vite të shkuara. Të kesh në qendër të vëmendjes ata njerëz që më së shumti i goditi lufta e viteve ’98-’99, do të thotë përpjekje e qëllim për ta parë në sy të kaluarën, për të mbyllur me drejtësi e përmes drejtësisë pasojat e saj, do të thotë të mendosh ndërtimin e së ardhmes, pa pesha të mbartura e të mbetura nga e kaluara. Unë do të punoj për këtë, pa u lodhur, pa u ndalë, me zemër, me shpirt, me mendje”.

    “Dita e zgjedhjeve, 14 shkurti i këtij viti, demonstroi qartë e bindshëm, se sa është rrënjosur ndër ne, kultura demokratike e shprehja më e lartë e saj: e drejta për të zgjedhur e për tu zgjedhur, liria për të votuar e për tu votuar”.

    “Asnjë parregullsi evidente, asnjë ngjarje që të dëshmonte të kundërtën, përkundrazi. Fakti që më pas i gjithë shtypi e kanceleritë perendimore vlerësuan maksimalisht procesin elektoral, më mbush jo vetëm me një ndjenjë krenarie për popullin tim, por edhe më krijon bindjen se me një ecuri të tillë, me një pjekuri të tillë politike, drejt së ardhmes mund e duhet të shihet vetëm me optimizëm”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!