×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Berisha-Bashës: Deri t’i fitosh zgjedhjet duhet të kalosh detin në këmbë

    Reporteri
    08 Prill 2019 | 16:36

    Për demokratët dhe Sali Berishën, Lulzim Basha ende nuk është lider i partisë edhe pse e drejton prej thuajse 6 vitesh.


    Ish-kryeministri gjatë mbledhjes së Kryesisë së partisë është shprehur se Basha së pari duhet të fitojë zgjedhjet (deri tani nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje) për të hedhur poshtë dyshimet për këdo që është skeptik. Por deri sa të arrijë te fitorja, Berisha shikon një rrugë të gjatë përpara për Lulzim Bashën.

    Ish-kryeministri thotë se deri atëherë Basha duhet të kalojë detin në këmbë…

    “Basha është lider, por pas fitores së zgjedhjeve, do të jetë i gjithëpranuar. Është normale që partia është më lart se kryetari, dhe kur e çon partinë në fitore, atëherë të shohin si lider. E deri atëherë duhet të kalosh detin në këmbë”, mësohet të jetë shprehur Berisha.

    Burime për Report Tv, bëjnë me dije për gazetarin Elis Memelli, se Basha ka bërë thirrje për një protestë më masive, krahasuar me dy protestat e kaluara kombëtare, pasi sipas tij e gjithë situata është në favor të PD.

    Sipas Bashës, djegia e mandateve dhe protestat e zhvilluara, kanë ndikuar në rritje të mbështetësve demokratë. Ai nuk i ka ndalur thirrjet për një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, për t’u përgatitur më pas për zgjedhje të parakohshme.

    “Për protestën e 13 prillit duhet një organizmim kapilar për të pasur një pjesëmarrje më të madhe se dy protestat e tjera kombëtare. Kemi gjithë situatën në favor. Ne jemi de fakto shumicë. Që pas djegies së mandateve, PD ka një rritje të menjëhershme edhe mes të pavendosurve. Jemi shumicë absolute ne çdo sondazh të pavarur vendas dhe të huaj. Duhet ta përkthejmë sa më shpejt në votë këtë mbështetje të shqiptarëve. Për këtë arsye pjesëmarrja e lartë në protestë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kërkesa jonë mbetet e pandryshueshme: largimi i Edi Ramës dhe qeveri tranzitore. Ta shpjegojmë në çdo takim që ne jemi shumicë dhe duhet ta tregojmë këtë”, mësohet të ketë thënë Basha.

    Basha ka mbledhur edhe Këshilin Kombëtar të Partisë Demokratike në selinë blu.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!