×
Hulumtime

MKRS do të paguajë një “ekspert” 5,560 euro në muaj – 1950 euro tjera ia jep “super-ekspertes” për vetëm 15 ditë angazhim

Autor:Egzona Krasniqi
09 Nëntor 2022 | 21:50

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, muajin e kaluar ka njoftuar për angazhimin e ekspertëve të çështjeve të caktuara për shërbime konsulente përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta të Ministrisë. Me këtë kontratë janë shpërblyer kandidatët Florentina Grubi Vula dhe Visar Salihu. E para është shpërblyer me kontratë 1950 Euro për vetëm 15 ditë pune, ndërsa Salihu me kontratë 133 mijë e 440 Euro për 2 vjet angazhim. 

Pagesë të “majme” do të marrë i angazhuari si “menaxher i lartë i portofolit-Analist i lartë i politikave” në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që drejtohet nga Ministri Hajrullah Çeku.

Sipas kontratës Visar Salihu “menaxheri i lartë i portofolit-Analist i lartë i politikave” parashihet të jetë i angazhuar në MKRS për 24 muaj, apo dy vjet.

Përgjatë këtyre muajve, për shërbimet e tij, ai do të paguhet 133 mijë e 440 Euro, që në shifra mujore, i bie 5 mijë e 560 euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Eksperti i MKRS-së” me pagë mbi 5 mijë e 500 euro në muaj, 133 mijë euro për 2 vite

Ministria e Kulturës thotë se “menaxheri i lartë i portofolit” do të ofrojë edhe “shërbime të tjera sipas rastit, nevojës, kërkesës dhe prioriteteve, në njërën anë me qëllim të mbulimit të kërkesave institucionale dhe në anën tjetër me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit institucional, gjithmonë me në qendër kontributin drejt arritjes se qëllimeve- objektivave lëndë e kërkesës/ kontratës”.

Për t’i ofruar shërbimet e kërkuara nga MKRS’ja kanë ofertuar 4 konkurrentë. Nga kjo Ministri mohojnë se ka pasur kritere diskriminuese sa i përket përzgjedhjes së kandidatëve për këto shërbime. Kjo pasi përveç Salihut me kontratë për shërbime u përzgjedh edhe një “eksperte” tjetër për vetëm 15 ditë angazhim.

“Procedura e Prokurimit me titullin “Angazhimi i eksperteve të çështjeve të caktuara për shërbime konsulentë përmes Marrëveshjeve për shërbime te veçanta (konsulentë individ) për nevoja te Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit ne pajtim me Rregullat për prokurim te shërbimeve të veçanta (konsulent kontraktohet individual) te lëshuar nga KRPP me datë 18.11.2020, me numër të prokurimit 207-22-7926-2-1-1 dhe numër të brendshëm 207-22-060-211”, ishte një procedurë e HAPUR dhe në afate ligjore të lejuara me LPP, ka qenë e hapur për aplikim dhe se asnjë nga kriteret e paraqitura në Dosjen e Tenderit nuk kanë karakterin diskriminues. Andaj si procedurë e prokurimit, ka marrë status në kontraktim mbi mbulueshmerinë administrative e ligjore me legjistlacionin që e rregullon këtë fushë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës, për Gazetën Online Reporteri.net.

MKRS thotë se angazhimi i ekspertëve të jashtëm vjen si rezultat i nevojave të paraqitura nga Departamentet përkatëse. Në rastin me Visar Salihut potencohet se  angazhimi i tij ka ardhur nga Njësia – Departamenti i Administratës se Përgjithshme dhe në rastin e Florentina Grubi-Vulës nga njësia e kërkesës Zyra për Drejtat e Autorit (Departament në kuadër të MKRS-së), së bashku me Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS.

1950 Euro të Shtetit për 15 ditë angazhim të ‘super-ekspertes’

Edhe Florentina Grubi-Vula me 6 tetor 2022 është shpërblyer me kontratë 1950 Euro dhe sipas Ministrisë e njëjta “do të jetë e angazhuar vetëm për një ekspertizë – “Ekspertizë profesionale lidhur me përshtatëshmërinë e tarifave të përcaktuara për ritnsmetimin e lëndës së mbrojtur me të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta me vendimet e Qeverisë Nr.12/36 i datës 19.10.2020 si dhe vendimi Nr.13/38 i datës 30.10.2020 dhe do të jetë e angazhuar për një fushë specifike e cila menaxhohet nga Zyra e Drejtave të Autorit”.

Sipas MKRS-së bëhet fjalë për një “ekspertizë të rrallë” për të cilën Ministria thotë se kanë aplikuar pesë kandidatë, por asnjëri nga ta nuk i ka plotësuar kriteret.

Kontrata me të cilën është angazhuar Grubi-Vula ka vazhdueshmëri vetëm 15 ditë pune.

“Si sqarime detale tjera: MKRS lidhur me këtë pozitë (ekspertizë) ka pas edhe njëherë një konkurs të hapur dhe duke e ditur që është ekspertizë e rrallë (nga pesë sa kanë aplikuar asnjeri nga ta nuk i ka plotësuar kriteret). Në procedurën në fjalë ka kërkuar 3 për ekspertizë dhe ka përmbushë kriteret vetëm znj. Grubi – Vula (e cila nuk mund të vazhdojë punën e ekspertizës pa plotësimin e grupit prej 3 anëtareve, pra Njoftimi për dhënie është paraqitur por se zbatimi i kontratës (kur do që nënshkruhet) nuk do të hy ne fuqi pa plotësimin prej 3 anëtareve (2 të tjerë).”, thuhet në përgjigjen e MKRS për gazetën online Reporteri.net.

Mirëpo, vendimi i autoritetit kontraktues është nënshkruar nga zv. drejtori i departamentit të Prokurorimit e jo nga Drejtori i këtij Departamenti në MKRS. Arsyetimi i Ministrisë është se Zyra e Prokurimit Publik në MKRS është pa udhëheqës të Prokurimit (Drejtor të Prokurimit) dhe prandaj vendimi është nënshkruar nga zv. drejtori i departamentit të Prokurorimit.

“Zyra e Prokurimit Publik në MKRS është pa udhëheqës të Prokurimit (Drejtor të Prokurimit) dhe si rezultat i kësaj çështje me aprovime të veçanta nga ZKA (Zyrtari Kryesor Administrativ) ekzistojnë vendime që personi që e ka nënshkruar Vendimin e Autoritetit Kontraktues, e ka mandatin e Zëvendësuesit të Drejtorit të Prokurimit (dhe jo Zëvendës Drejtorit) dhe si i tillë i njëjti ka kompetencë të plotë për zbatimin e të gjitha procedurave të prokurimit, pasi që i plotëson edhe kushtet tjera të cilat janë të rregulluara me LPP (në këtë rast ka Licencë për ushtrimin e detyrës)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ish-sekretari skeptik për “ekspertin” dhe “super-eksperten”

Bislim Bilsimi, ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, i cili kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë para se kontrata me këta konsulentë të nënshkruhej nga MKRS, thotë se ajo çfarë ka kërkuar dhe ka pritur nga kjo procedurë prokurimi, është që kostot në kurriz të buxhetit publik të justifikohen plotësisht nga shërbimi i ofruar nga ana e konsulentëve përmes përcaktimit shprehimisht, e në mënyrë të matshme të çdo shërbimi që ofrohet kundrejt pagesave që do të bëhen.

“Kontratat nga MKRS me këta konsulentë janë nënshkruar disa javë pas dorëheqjes time. MKRS ka pasur dhe ende ka mungesa të theksuara të kapacitetit të brendshëm profesional për të menaxhuar një program masiv të investimeve kapitale, veçanërisht në sport, kulturë, trashëgimi kulturore, rini etj. Nevojat për ekspertizë që do të mundësonte menaxhim efektiv dhe efikas të këtij programi në MKRS, ka pasur dhe ka sepse në të kundërtën investimet në vlera milionëshe mund të vonohen, mund të dëmtohen e mund të pësojnë në vlerën finale të tyre”, tha Bislimi për gazetën online Reporteri.net.

Ajo çfarë kam kërkuar dhe pritur nga kjo procedurë prokurimi, është që kostot në kurriz të buxhetit publik të justifikohen plotësisht nga shërbimi i ofruar nga ana e konsulentëve përmes përcaktimit shprehimisht, e në mënyrë të matshme të çdo shërbimi që ofrohet kundrejt pagesave që do të bëhen. Unë mendoj dhe pres që fondet e vëna në dispozicion të këtyre shërbimeve të justifikohen më rezultatet konkrete dhe të matshme pas nënshkrimit të kontratës, ofrimit të shërbimeve, verifikimit e pranimit të tyre e më pas pagesës sipas kontratës”, ka thënë Bilsimi.  /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!