Fushata interesante me kamion kufomash: Mos u vaksinoni, shihemi së shpejti

Një kamion për bartjen e kufomave, që fillimisht dukej se po përdorej për fushatë kundër vaksinimit, shkaktoi reagime në mesin e disa tifozëve të futbollit amerikan në Karolinën Veriore.


Kamioni, në të cilin ishin shkruar emri dhe uebfaqja e kompanisë, gjithashtu kishte një slogan me mesazh kundër vaksinimit: “Mos u vaksonini”.

Sidoqoftë, kompania që reklamohet në kamion në të vërtetë nuk ekziston, por thjesht është përdorur si mënyrë për ta tërhequr vëmendjen e tifozëve, të cilët ishin nisur për të përcjellë një ndeshje sportive.

Kur futesh në uebfaqen që reklamohet në kamio, shfaqet mesazhi: “Vaksonohuni tani. Nëse, jo, shihemi së shpejti.”

Agjencia për marketing, e cila e bëri këtë lloj fushate, tha se është koha për të shfaqur kreativitet dhe për ta luftuar uljen e numrit të vaksinimeve, shkruan Independent.

Zyrtarët e shëndetit publik po mundohen që t’ua ndryshojnë mendjen personave që po refuzojnë të vaksinohen. Në botë ka pasur fushata të ndryshme për këtë qëllim, përfshirë edhe dhuratat në të holla, ushqim e kafshë.

Në Karolinën Veriore, më pak se 50 për qind e popullsisë së rritur është vaksinuar plotësisht kundër Covid-19.