×
  • Lajme
  • Botë

    Rusia e shkarkon zëvendësministrin e Mbrojtjes

    Reporteri
    24 Shtator 2022 | 14:51

    Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Dmitry Bulgakov, është shkarkuar nga detyra dhe është transferuar në “një post tjetër”, tha ministria e Mbrojtjes në Moskë më 24 shtator.

    Ai do të zëvendësohet nga gjeneral-kolonel, Mikhail Mizintsev, i cili më parë mbante postin e kreut të Qendrës së Kontrollit të Mbrojtjes Kombëtare të Rusisë.

    Ushtria ukrainase tha se Mizintsev udhëhoqi rrethimin e portit të Mariupolit, gjë që i dha atij pseudonimin “kasapi i Mariupolit”.

    Mariupoli u pushtua nga Rusia në fund të majit, pasi pjesa më e madhe e qytetit u shndërrua në gërmadha dhe mijëra civilë u vranë gjatë rrethimit.

    Udhëheqja ushtarake ruse nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, është kritikuar së fundmi në qarqe të afërta me Kremlinin, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Rreth dy javë më parë, ushtria ruse ishte tërhequr nga rajoni lindor i Ukrainës, Harkiv, nën presionin e një kundërofensive ukrainase.

    Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina ka rikthyer mbi 6.000 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat ruse.

    Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!