×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi i katërt

    Çështja e dinarit, Bislimi: Takim i kotë, pa rezultat – Serbia s’është e interesuar të bëjë zgjidhje për qytetarët serbë

    Reporteri
    18 Prill 2024 | 16:22

    Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media lidhur me takimin e sotëm në Bruksel për çështjen e dinarit. Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pala serbe në takimin e sotëm treguan kotësinë dhe u pa mosvërtetësia e konstatimit të tyre që kemi çështje urgjente pasi “qytetarët serb nuk kanë arritur të marrin benefitet e tyre”, shkruan Reporteri.net.

    Bislimi tha se ky takim sot mund të quhet i kotë, pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës serbe, e cila siç tha ai ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi.

    “Takimi i sotëm ka ndodhur dy ditë pas vendimit shumë të rëndësishëm në Këshillin e Evropës, vendim ky që manifestoi edhe modelin evropian, por edhe të Kosovës se si duhet të promovohet edhe integrimi i rajonit, por edhe të ndërtohen raportet mes vendeve fqinje. Dhe një ditë pas manifestimit të modelit serb të normalizimit dhe integrimit apo zbatimit të marrëveshjeve që u manifestua përmes ekspozimit të një mentaliteti mesjetar të trajtimit të qytetarëve të një vendi fqinj, përmes ndaljes së tyre nëpër pikat kufitare, arrestimit, maltretimit të tyre, dhe në këtë kontekst mbase duhet të shihet dhe qasja e Serbisë në takimin e sotëm.

    Ata në takimin e sotëm në mënyrë perfekte treguan kotësinë dhe pamë mosvërtetësinë e konstatimit të tyre të hershme që kemi një çështje urgjente ku disa qytetarë serb nuk kanë arritur të marrin benefitet e tyre. Njësoj si herët e kaluara ka patur zero interesim nga pala serbe që të merren me këta qytetarë dhe gjithë energjia e tyre është sërish e orientuar drejt licencimit të një subjekti ekonomik të Serbisë në Kosovë, gjë që për ne është e papranueshme dhe këtë e kemi bërë të qartë në vazhdimësi.

    Takimi i sotëm është dashur të ndodhë vetëm në një frymë konstruktive ku ne është dashur të diskutojmë mbi propozimin e konsoliduar të z. Lajçak, e në vend të saj Serbia ka ardhur me një propozim krejtësisht të ri duke dashur që situatën ta kthejë në pikën fillestare gjë që ne nuk e kemi pranuar natyrisht, dhe në fund Serbia ka pranuar që të kthehet tek ajo pikë ku është dashur të jemi sot, rrjedhimisht që në takimin e ardhshëm të diskutojmë kryekëput dhe ekskluzivisht mbi propozimin e palës evropiane”, tha Bislimi para gazetarëve.

    Rrjedhimisht ky takim i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serb të trajtohen.

    Rreth asaj nëse takimi ka shënuar hapa prapa në krahasim me atë të para dy javëve, Bislimi tha se emisari evropian, Miroslav Lajçak u ka thënë se ky takim është i fundit.

    “Neve javën e kaluar na është thënë nga z. Lajçak që takimi i kësaj jave do të jetë takimi i fundit, për arsye se ai do të mundësojë takimin vetëm nëse pala serbe tregon qartë se do të vijë për të përmbyllur marrëveshjen sipas principeve dhe propozimit të z. Lajçak. Duke qenë se kjo nuk ka ndodhur, atëherë ne kemi insistuar që takimi të organizohet vetëm nëse palët i dërgojnë propozimet e tyre deri në ditën e hënë dhe nëse z. Lajçak konstaton që propozimet janë në linjë me idetë e tij të distribuara javën e kaluar. Do të thotë, kemi arritur të ndikojmë që takimi i ardhshëm në asnjë mënyrë të mos mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë për të shtyrë edhe mëtej vendimmarrjen”, tha Bislimi.

    Ajo se çfarë ka ndodhur dje, Bislimi tha se për Serbinë mund të ketë rrethanë lehtësuse lidhur me takimin e sotëm.

    “Unë mendoj që për procesin është rrethanë rënduese, ndërsa për Serbinë ka qenë ndoshta rrethanë lehtësuese ku ata e kanë pas edhe një vendim ku e kanë shpreh mllefin e tyre me faktin që shumica e vendeve evropiane shikojnë nga e ardhmja e jo nga e kaluara”, tha Bislimi./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!