×
  • Lajme
  • Lajme / Raportet Kosovë-SHBA

    Hovenier insiston në shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së

    Reporteri
    05 Shkurt 2024 | 12:31

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të hënën se e ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    Ai i ka bërë këto deklarata, pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Gazeta online Reporteri.net më parë raportoi se në takim me Kurtin ishin të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë.

    I pyetur nëse Qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.

    Kurti mbledh të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë, fokusi te vendimi për dinarin

    Rregullorja e BQK-së parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.

    Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.

    Hovenier ka thënë se ndonëse Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, SHBA-ja beson që duhet të ketë periudhë edukuese për rregulloren e re.

    Kur është pyetur për reagimin e Qeverisë për kërkesën e tij dhe faktorit ndërkombëtar, Hovenier ka thënë se “do t’i lë ata të flasin” në këtë drejtim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!