×
  • Lajme
  • Lajme / Kërkesa amerikane

    Kurti për takimin me O’Brien ku iu kërkuan hapa urgjent drejt Asociacionit: Folëm për zbatimin e plotë të marrëveshjes

    Reporteri
    25 Prill 2024 | 12:23

    Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është tema kryesore e ditëve të fundit. Kanë qenë të pareshtura thirrjet që janë bërë këto javë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Hiç më larg se dje, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës që të bëjë “përparim urgjent” sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të lëvizur përpara ne na duhet zbatimi i zotimeve të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, përfshirë edhe përparimin urgjent sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sot diskutova me kryeministrin Kurti për hapat pozitivë që janë të nevojshme”, shkroi ai në X.

    Për takimin që pati me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazimë, James O’Brien, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, ka shkruar sot edhe vetë kryeministri Kurti.

    Kurti tha se me të ka biseduar për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes bazike me Serbinë.

    “Dje kam takuar ndihmëssekretarin e shtetit amerikan Jim O’Brien dhe ambasadorin Jef Hovenier. Ne diskutuam rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të marrëveshjes bazike. Ne gjithmonë do të jemi mirënjjohës ndaj SHBA-së për rolin qendror dhe mbështetjen e Kosovës në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik”.

    Edhe gjatë së martës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar një telefonatë nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të martën se Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kontekst të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Kryeministri Kurti më vonë informoi se Macron ka insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë me Serbinë.

    “Në një telefonatë me Presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votë historike. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë”, tha Kurti më vonë atë ditë.

    Macron telefonon Kurtin, bën thirrje për zbatimin e marrëveshjeve ndërsa anëtarësimin në KiE e lidh me Asociacionin

    Bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta implementojë Asociacionin.

    Lëvizja Vetëvendosje që tash drejton Qeverinë e Kosovës gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte ashpër marrëveshjet e 2013-tës dhe 2015-tës për Asociacionin.

    Por, një marrëveshje e Brukselit e vitit 2023 me aneks të Ohrit përmban pikën e Asociacionit, ndonëse marrëveshja nuk është nënshkruar.

    Si ide ka qarkulluar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

    Për këtë Osmani është pyetur gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Por, ajo ka thënë se ligjërisht nuk mund ta bëjë këtë pa një akt të Qeverisë.

    Edhe i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar për Asociacionin.

    “Nëse nuk ka përparim sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, është e vështirë të pritet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.

    Lajçak theksoi se Kosova dhe Serbia i dinë obligimet e tyre që janë përgjatë rrugës për integrim evropian.

    “Për Serbinë është raporti vjetor i Komisionit Evropian që tregon saktësisht se çfarë duhet bërë. Për Kosovën është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Përveç kësaj, në përputhje me vendimet e Këshillit të BE-së, normalizimi i marrëdhënieve është një parakusht për përparimin në rrugën europiane, BE ka thënë qartë se nuk mund të importojë probleme të pazgjidhura dypalëshe”, tha Lajçak.

    Lajçak: Aktualisht s’ka ndonjë progres për Asociacionin, pa të s’ka normalizim raportesh

    Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, po ashtu ka kërkuar themelimin e Asociacionit.

    Ajo tha se thirrjet e ndërkombëtarëve duhet të merren parasysh, pasi siç tha ajo janë një hap i rëndësishëm.

    “Më duhet të përsërisë shqetësimin që e kanë shprehur edhe shtetet tjera anëtare për rregulloren e BQK-së dhe mënyrën se si ka ndiku në komunitetet jo shumicë. Palët janë takuar pesë herë. Mbetemi me shpresë se një zgjidhje mundet me u gjet. Një tjetër element i marrëveshjeve kryesore që mundet me ofru zgjedhje, si për këtë por edhe çështje tjera të normalizimit, është marrja e hapave të sinqertë të besueshëm krahas themelimit të Asociacionit të komunave serbe. Thirrjet për themelimin e Asociacionit duhet të merren parasysh sepse janë hap i rëndësishëm. Implementimi i plotë i marrëveshjes së ndihmuar nga BE-ja është prioritet edhe më i madh për të ikur krizave dhe është me rëndësi që të dy palët të jenë të përkushtuar për një angazhim konstruktiv që të gjejnë kompromise praktike”, tha ajo në seancën e OKB-së.

    Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.

    Ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

    “Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes”, tha presidentja Osmani.

    Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në 11-vjetorin e marrëveshjes së parë Kosovë – Serbi, ka thënë se të gjitha marrëveshjet arritura në kuadër të dialogut duhet të implementohen, duke shtuar se moszbatimi i tyre sjell pasoja serioze për të gjithë popullatën e dy palëve.

    Stano ka theksuar se çështja e Asociacionit është thelbësore dhe urgjente për zbatim.

    “Në historinë e dialogut, kemi një sërë përvjetorësh. Jo shumë kohë më parë, shënuam përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe në rastin e kësaj marrëveshjeje, e kemi qartësuar se zbatimi është çelësi, çka vlen edhe për marrëveshjet e tjera. Duhet të zbatohen. Çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente, dhe BE-ja së bashku me partnerët ndërkombëtarë, ka qenë dhe mbetet e qartë me Kosovën se ata duhet ta implementojnë atë sepse dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”, ka deklaruar ai më 19 prill në një adresim për media.

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për të, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

    Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

    Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

    Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Reporteri.net/.

    Kërkesat e parreshtura ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!