×
  • Lajme
  • Lajme / A do të themelohet?

    Kërkesat e parreshtura ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit

    Reporteri
    24 Prill 2024 | 23:00

    Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është tema kryesore e ditëve të fundit. Kanë qenë të parreshtura thirrjet që janë bërë këto javë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Hiç më larg se sot, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës që të bëjë “përparim urgjent” sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të lëvizur përpara ne na duhet zbatimi i zotimeve të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, përfshirë edhe përparimin urgjent sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sot diskutova me kryeministrin Kurti për hapat pozitivë që janë të nevojshme”, shkroi ai në X.

    O’Brien i kërkon Kurtit themelimin e Asociacionit dhe zbatimin e marrëveshjeve

    Gjatë së martës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar një telefonatë nga Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të martën se Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kontekst të rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Macron telefonon Kurtin, bën thirrje për zbatimin e marrëveshjeve ndërsa anëtarësimin në KiE e lidh me Asociacionin

    Kryeministri Kurti më vonë informoi se Macron ka insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë me Serbinë.

    “Në një telefonatë me Presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votë historike. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë”, tha Kurti më vonë atë ditë.

    Kurti për telefonatën me Macron: Shpresoj se Franca do ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në KiE pa Asociacionin

    Bashkësia ndërkombëtare po kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta implementojë Asociacionin.

    Lëvizja Vetëvendosje që tash drejton Qeverinë e Kosovës gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte ashpër marrëveshjet e 2013-tës dhe 2015-tës për Asociacionin.

    Por, një marrëveshje e Brukselit e vitit 2023 me aneks të Ohrit përmban pikën e Asociacionit, ndonëse marrëveshja nuk është nënshkruar.

    Si ide ka qarkulluar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

    Për këtë Osmani është pyetur gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Por, ajo ka thënë se ligjërisht nuk mund ta bëjë këtë pa një akt të Qeverisë.

    A do ta çojë Presidentja draftin e Asociacionit në Kushtetuese, Osmani: S’mund ta bëj pa një akt të Qeverisë

    Edhe i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar për Asociacionin.

    “Nëse nuk ka përparim sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, është e vështirë të pritet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.

    Lajçak theksoi se Kosova dhe Serbia i dinë obligimet e tyre që janë përgjatë rrugës për integrim evropian.

    “Për Serbinë është raporti vjetor i Komisionit Evropian që tregon saktësisht se çfarë duhet bërë. Për Kosovën është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Përveç kësaj, në përputhje me vendimet e Këshillit të BE-së, normalizimi i marrëdhënieve është një parakusht për përparimin në rrugën europiane, BE ka thënë qartë se nuk mund të importojë probleme të pazgjidhura dypalëshe”, tha Lajçak.

    Lajçak: Aktualisht s’ka ndonjë progres për Asociacionin, pa të s’ka normalizim raportesh

    Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, po ashtu ka kërkuar themelimin e Asociacionit.

    Ajo tha se thirrjet e ndërkombëtarëve duhet të merren parasysh, pasi siç tha ajo janë një hap i rëndësishëm.

    “Më duhet të përsërisë shqetësimin që e kanë shprehur edhe shtetet tjera anëtare për rregulloren e BQK-së dhe mënyrën se si ka ndiku në komunitetet jo shumicë. Palët janë takuar pesë herë. Mbetemi me shpresë se një zgjidhje mundet me u gjet. Një tjetër element i marrëveshjeve kryesore që mundet me ofru zgjedhje, si për këtë por edhe çështje tjera të normalizimit, është marrja e hapave të sinqertë të besueshëm krahas themelimit të Asociacionit të komunave serbe. Thirrjet për themelimin e Asociacionit duhet të merren parasysh sepse janë hap i rëndësishëm. Implementimi i plotë i marrëveshjes së ndihmuar nga BE-ja është prioritet edhe më i madh për të ikur krizave dhe është me rëndësi që të dy palët të jenë të përkushtuar për një angazhim konstruktiv që të gjejnë kompromise praktike”, tha ajo në seancën e OKB-së.

    Shefja e UNMIKU-t: Të merren hapa të sinqertë dhe të besueshëm për themelimin e Asociacionit

    Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.

    Ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

    “Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes”, tha presidentja Osmani.

    Osmani: Kosova nuk po kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, do t’i drejtohemi Kushtetueses për Asociacionin

    Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në 11-vjetorin e marrëveshjes së parë Kosovë – Serbi, ka thënë se të gjitha marrëveshjet arritura në kuadër të dialogut duhet të implementohen, duke shtuar se moszbatimi i tyre sjell pasoja serioze për të gjithë popullatën e dy palëve.

    Stano ka theksuar se çështja e Asociacionit është thelbësore dhe urgjente për zbatim.

    “Në historinë e dialogut, kemi një sërë përvjetorësh. Jo shumë kohë më parë, shënuam përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe në rastin e kësaj marrëveshjeje, e kemi qartësuar se zbatimi është çelësi, çka vlen edhe për marrëveshjet e tjera. Duhet të zbatohen. Çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente, dhe BE-ja së bashku me partnerët ndërkombëtarë, ka qenë dhe mbetet e qartë me Kosovën se ata duhet ta implementojnë atë sepse dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”, ka deklaruar ai më 19 prill në një adresim për media.

    BE: Themelimi i Asociacionit është urgjencë, dështimi nënkupton pasoja

    Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për të, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

    Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

    Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

    Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!