×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Ulqini ka luajtur rol të jashtëzakonshëm për qytetarët e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë

    Reporteri
    19 Prill 2024 | 11:34

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në programin solemn “Dita e Ulqinit – Folklori i Ulqinit”, organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë.

    Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri shprehu kënaqësinë që ishte bashkë me të pranishmit në Ditën e Ulqinit, për të rikonfirmuar lidhjet e veçanta mes Kosovës dhe Ulqinit.

    “Ulqini është më shumë se sa një qytet bregdetar. Ai është një shembull i rezistencës dhe vullnetit për të ruajtur identitetin dhe kulturën për mijëra vjet. Monumentet e tij, si Kalaja dhe qyteti i vjetër i Shasit, janë dëshmi të jetës dhe kulturës së shkëlqyeshme të këtij qyteti ndër shekuj’’, u shpreh kryeministri.

    Duke e përkujtuar historinë tonë të përbashkët, kryeministri veçoi se nuk mund të shpërfillim rolin e jashtëzakonshëm që Ulqini ka luajtur për qytetarët e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

    “Mirënjohja ime shkon përtej fjalëve drejt Malit të Zi për mikpritjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që iu ofrua shqiptarëve të Kosovës në momente të vështira historike’’, shtoi ai më tej.

    Për bashkëpunimin e ngushtë me Malin e Zi, kryeministri tha se kjo është dëshmi e përpjekjeve tona për të ndërtuar një rajon e një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim, teksa theksoi se duke shtuar investimet dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si politika, ekonomia dhe kultura, synojmë të thellojmë marrëdhëniet tona.

    Mes tjerash, ai tregoi se me Ulqinin ka edhe një raport të ngushtë personal e familjar.

    “Për mua Ulqini ishte deti i fëmijërisë dhe i rinisë, deri kur jam bërë gati 30 vjeç, unë s’kam shkuar për pushime verore në ndonjë bregdet tjetër. Nga Plazhi i Vogël te Plazhi i Madh, nga Galebi i Albatrosit te Otranti e Lidoja, nga Kalaja mahnitëse te Kriporja e deri te lumi Buna, e sidomos nga lagjja Gjerana kam kujtime aq të bukura për gjatë rritjes dhe formimit tim sa edhe të panumërta”, kujtoi ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!